Prishtina - Malisheva nuk do të zhvillohet në "Fadil Vokrri", konfirmohet nga drejtori i klubit
Ndeshja interesante ndërmjet Prishtinës dhe Malishevës që zhvillohet këtë të diele, me fillim nga ora 13:30, nuk do të zhvillohet në stadiumin "Fadil Vokrri", këtë e ka konfirmuar drejtori i Prishtinës, Artan Osmani për Gazetën Nacionale.
"Bardhëkaltërit" pas fitores së parë ndaj Llapit në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës, janë më të motivuar se kurrë që të arkëtojnë pikët e plota ndaj Malishevës, por këtë duhet ta bëjnë në një tjetër stadium.
Drejtori i Prishtinës, Artan Osmani për Gazetën Nacionale ka konfirmuar se do të zhvillojnë ndeshjen ndaj Malishevës në Skenderaj në stadiumin “Bajram Aliu” shkaku që të martën e ardhshme, do luajë Kombëtarja e Kosovës.
“Po, ndeshjen kundër Malishevës nuk do e zhvillojmë në Fadil Vokrri sepse të martën do luaj reprezentacioni i Kosovës. Besoj që do luajmë në Drenicë”, deklaroi shkurtimisht ai.
Prishtina tani është duke i zhvilluar ndeshjet si vendas në “Fadil Vokrri” pas një mosmarrëveshje me Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), të cilët nuk i lejuan për më shumë se dy muaj që të luajnë në stadiumin e tyre shkaku që ishin duke bërë disa rregullime të fushës.
Por, tani duket që gjërat janë rregulluar, duke marrë parasysh se ndeshjen e fundit ndaj Llapit, “Bardhëkaltërit” e zhvilluan në shtëpi dhe fituan me rezultat të ngushtë 2:1.
Sa i përket Superligës së Kosovës, Prishtina me 35 pikë, 14 pikë më pak se pozita e tretë që të dërgon në Evropë, që e mban Drita, por kampioni në fuqi shpreson që këtë ta realizojë përmes Kupës së Kosovës.