Prishtina e Ballkani pas Egzon Sinanit
Mbrojtësi llapjan, Egzon Sinani, mund të bëhet me skuadër të re për sezonin 2023/24, pasi skuadra më e trofeshme kosovare Prishtina dhe kampioni në fuqi Ballkani janë në ndjekje, për t’i fituar shërbimet e tij, mëson Gazeta Nacionale.
Sinani ishte pjesë e Ballkanit në rrugëtimin historik, ku arritën deri në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, duke u paraqitur tre herë me 191 minuta në total të zhvilluar dhe pati minuta të plota në fitoren e vetme të suharekasve në grupe ndaj Sivasspor me rezultat 4:3 në udhëtim.
Ndërsa në afatin dimëror të janarit ai kaloi te Gjilani në formë të huazimit, duke qenë një nga lojtarët kyç të skuadrës, me ‘Skifterët’ që përfunduan në pozitën e tretë në Superligën e Kosovës, teksa në finale të Kupës u mposhtën nga Prishtina, kështu duke siguruar të paktën kualifikimet në fazën e parë të Ligës së Konferencës.
29-vjeçari më 30 qershor përfundon kontratën e tij aktuale dhe do të jetë lojtar i lirë për në afatin kalimtar veror, me Prishtinën e Ballkanin që janë kandidatët më serioz për ta pasur në skuadër, siç mësojnë burimet e Gazetës Nacionale.
Egzoni nisi karrierën te klubi i vendlindjes FC Llapi, ku ndihmoi skuadrën e tij drejt inkuadrimit në Superligën e Kosovës, duke bërë në total 123 paraqitje, për të rënë në sy të Ballkanit, kur u transferua në korrik të vitit 2019, me të cilët u shpall kampion në sezonin 2021/22 dhe nënkampion një sezon më herët.

Mbrojtësi qendror është një lojtarët më kualitativ në Superligën e Kosovës, ku shquhet për lojën e mirë në ajër dhe teknikë të mirë me topin në këmbë.

