Egzon Sinani huazohet te Gjilani - NACIONALE

Egzon Sinani huazohet te Gjilani

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Mbrojtësi Egzon Sinani ka nisur të stërvitet te skuadra e Gjilanit, me një marrëveshje huazimi që është arritur ditën e mërkurë, kështu merr vesh me burime Gazeta Nacionale.

Sinani është huazuar te Gjilani, skuadër kjo që u ‘këndell’ vetëm disa ditë më parë pasi presidenti Florim Zuka i pagoi të gjitha borxhet e lojtarëve.

Me rikthimin e Zekirija Ramadanit, “Skifterët” kanë nisur përforcimet duke arritur marrëveshje me Ballkanin për huazimin e Sinanit për pjesën e mbetur të sezonit.

Përpos kësaj, futbollisti nuk ka udhëtuar me klubin e Ballkanit për në Turqi, derisa ka nisur stërvitjet me klubin gjilanas.

Ky është vetëm një nga transferimet që Gjilani synon t’i kryejë në afatin kalimtar të janarit, pasi synon disa ndryshime të mëdha brenda skuadrës me objektivin që këtë edicion të sigurojnë Evropën.

Gjatë këtij sezoni, Sinani është përdorur pak nga trajneri Ilir Daja duke bërë 13 paraqitje në të gjitha garat, derisa vetëm në shtatë prej tyre ka qenë titullar.

Ai sigurisht ka fituar pak eksperiencë me daljen e Ballkanit në Evropë, pasi zhvilloi gjashtë paraqitje (përfshirë kualifikueset për Ligën e Konferencës).

Kujtojmë, qendërmbrojtësi që luan edhe në pozitën e mesfushorit me tipare defensive dhe mbrojtësit të djathtë ka kontratë me Ballkanin deri në vitin 2023.

Me ardhjen e tij, Gjilani pritet të bëjë disa ndryshime në mbrojtje me disa lojtarë që do të largohen gjatë javëve në vijim.

Lajme të ngjashme