Presidenti i Salernitanas tallet me Juventusin: Nëse duan jemi gati ta përsërisim ndeshjen
Presidenti i Salernitana, Danilio Iervolino, ka dhënë një prononcim në lidhje me polemikat e fundit me rastin e golit të anuluar të Milik, i cili nxiti një mal reagimesh në Itali.
Shoqata e Gjyqtarëve në Itali arsyetoi vendimin e anulimit të golit të Milik në minutat e fundit të ndeshjes (që mund t’ia jepte fitoren Juventusit me rezultat 3:2 kundër Salernitanas) si rezultat i faktit që nuk kanë pasur në dispozicion kamerën ku shihej se Candreva mbante në lojë të gjithë lojtarët juventinë.
Shtypi italian ka zbardhë një kuriozitet, duke thënë se ajo kamerë përdorët vetëm për çështje statistikore dhe nuk i ofrohet dhomës së gjyqtarëve në VAR. Kjo ngjarje prodhoi katër kartonë të kuq, ndërhyrjen e 47 personave në brendi të fushës që u përleshen dhe një kaotizëm të pafund.
Te Juventus të gjithë janë të frustruar. Lajmet për këtë episod kanë mbizotëruar edhe para ngjarjeve tjera madhore në Itali, si eliminimi historik i Serbisë në basketboll që u mundësoi ekipit italian kalimin në çerekfinale apo triumfin e Kombëtares së Italisë në Botërorin e volejbollit.
Provokimi i Presidentit të Salernitanas ndaj Juventust
Humor ndryshe për dallim nga Juventus mbizotëron te kampi i klubit nga Campania, atij të Salernitanas. Me një dozë ironie vetë presidenti i klubit, Danilo Iervolino, ka provokuar Juventusin me një deklaratë dhënë për “Radio Kiss Kiss”.
“Gabimi i gjyqtarëve te ndeshja Juventus – Salernitana? Nëse ‘bardhezinjtë’ dëshirojnë ta riluajnë ndeshjen, për ne nuk ka problem. Gabimet e gjyqtarëve nuk më japin pasion. Ato vetëm fshehin të vërtetën. Dhe, e vërteta është se kemi luajtur një futboll të shkëlqyer, me Juventusin që ka reaguar si një skuadër e madhe, çfarë edhe është”, nënvizoi ai.

Për presidentin e Salernitanas rezultati 2:2 në “Allianz Stadium” mund të llogaritet si i drejtë, nëse kemi parasysh rrjedhën e lojës.
“Barazimi mund të cilësohet i drejtë. Nuk flas për vendimet e gjyqtarëve, sepse besoj që ka profesionalizëm të madh në fushë dhe vullnet të mirë nga ta. Të gjithë mund të gabojnë, ashtu si edhe vetë VAR. Bëhet fjalë për një mjet të ri, i cili duhet përmirësuar. Mund të themi që ndoshta ishte penallti në favor të Piatek ose ndërhyrje e jo korrekte e Cuadrados mbi Candrevan para penalltisë së akorduar për Juventusin”, theksoi ai.
Salernitana e udhëhequr nga Davide Nicola ka bërë një rikthesë gjigante në pjesën e dytë të sezonit të kaluar, duke e siguruar në frymën e fundit mbijetesën. Mourinho dhe shumë të tjerë i kanë dhënë meritë të madhe Salernitanas për të gjithë atë çfarë kanë dëshmuar me personalitet dhe vetëmohim.
Allegri pati paralajmëruar se sfida ndaj Salernitanas do të ishte më e vështirë se vetë ajo kundër PSG. Për ironi të fatit, në shumë faza të lojës e atillë doli, sepse Salernitana ishte mbizotëruese dhe mbylli pjesën e parë me rezultat 0:2. “Zonja e vjetër” përmes aftësive të individëve të caktuar reagoi, por asnjëherë si skuadër kompakte, me qartësi të lojës. E vërtetë se iu mohuan tre pikë nga gabimi i gjqytarit Marchesano, por vijon të jetë një skuadër atipike, pa idee dhe pa një lojë bashkëkohore.

