Presidenti i PSG: Messi është shumë i lumtur te PSG – e përsëris për të mijtën herë - NACIONALE

Presidenti i PSG: Messi është shumë i lumtur te PSG – e përsëris për të mijtën herë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i PSG, Al Khelaifi, është deklaruar për “Rothen s'enflamme” rreth të ardhmes së Lionel Messit, ku sërish deklaroi se ylli argjentinas është i kënaqur te parisienët, duke thënë se pas Botërorit do të përcaktohet gjithçka.

Lionel Messit i skadon kontrata me PSG në fund të këtij sezoni. Akoma mbetet e paqartë se çfarë do të servojë e ardhmja e tij.

Megjithatë, është i pari i PSG, Al Khelaifi, ai që këmbëngul se 35-vjeçari është i lumtur në klubin francez, duke shprehur habinë edhe për pyetjen e njëjtë që i parashtrohet mijëra herë.

“Mund të konfirmoj për të mijtën herë se Lionel Messi është shumë i lumtur te PSG. Mendoj se ai dëshiron të qëndrojë”, tha ai.

Megjithatë, ai është i vetëdijshëm se një temë e tillë është e pavend të shtjellohet thellësisht tani, kur shtatë herë fituesi i Topit të Artë është i angazhuar me Kombëtaren e Argjentinës në Kupën e Botës në Katar, me ç’rast të dielën do ta luajë finalen kundër Francës.

“Të ardhmen e tij do ta diskutojmë pas përfundimit të Kupës së Botës”, nënvizoi presidenti i PSG për “Rothen s'enflamme”.

Sezoni mbresëlënës me PSG

Ndryshe nga sezoni i kaluar, ky i sivjetmi për Lionel Messin ka qenë shumë i mbarë me PSG, duke spikatur me gola dhe asiste, si dhe me përfshirje të madhe në golat e shënuar nga skuadra parisiene.

Kështu, ai ka arritur të shënojë shtatë (7) gola në trembëdhjetë (13) ndeshje të zhvilluara në Ligue 1. Njashtu, ai ka dhënë një kontribut të veçantë edhe me dhjetë (10) asiste.

Një shkallë të tillë paraqitjesh ylli argjentinas e ka demonstruar edhe në Ligën e Kampionëve, ku ai ka realizuar në këtë edicion katër (4) gola në pesë (5) paraqitje. Po ashtu, ai është veçuar edhe me katër (4) asiste të tjera në po të njëjtin kompeticion.

Që tani ai ka shënuar një gol më shumë në Ligue 1 sesa që kishte arritur të bënte në sezonin paraprak. Një formë e tillë i ndihmoi shumë edhe në Kupën e Botës, kur jemi dëshmitarë se po arrin ta bëjë dallimin edhe me Argjentinën, të cilën e udhëhoqi deri në finalen, të cilën do ta luajë këtë fundjavë ndaj Francës.

Si rrjedhojë, për Messin sezoni 2022/2023 po del të jetë i artë, edhe pse është në një moshë jo shumë rinore nëse flasim në termat sportivë, meqë është 35-vjeç. Mirëpo, klasi nuk i ka humbur dhe ai me aq sa shihet ka ende shumë për të dhënë.

Enigma se ku do të luajë në sezonin 2023/2024 pritet të na shoqërojë edhe për disa kohë, deri kur ai ta marrë një vendim përfundimtar.

Lajme të ngjashme