Presidenti i klubit saudit Al-Nassr: Kush është Ronaldo? S’e njoh - NACIONALE

Presidenti i klubit saudit Al-Nassr: Kush është Ronaldo? S’e njoh

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i klubit nga Arabia Saudite Al-Nassr i ka hedhur poshtë thashethemet se skuadra e tij është afër të nënshkruajë marrëveshje me Cristiano Ronaldon.

Ronaldo është në kërkim të një klubi të ri, pasi Unitedi vendosi t’ia ndërpresë kontratën para kohe si kundërpërgjigje ndaj intervistës së tij kontroverse me gazetarin britanik Piers Morgan në fillim të këtij muaji.

Sulmuesi portugez, 37 vjeç, bëri trysni për t’u larguar nga Old Trafford edhe në verë dhe menaxheri i tij Jorge Mendes i ishte afruar Bayernit për të biseduar për një marrëveshje të mundshme atëherë. Por klubi gjerman e refuzoi dy herë atë, në verë dhe tani.

Në javët e fundit u raportua për një ofertë tejet joshëse nga Al-Nassr, e cila do ta bënte Ronaldon lojtarin më të paguar në historinë e futbollit me 500 milionë euro për dy vite e gjysmë.

Megjithatë, Musalli Al Muammar, presidenti i Al-Nassr, i ka mohuar këto thashetheme, duke thënë: “Kush është Ronaldo? Nuk e njoh atë”.

I pyetur më vonë për të njëjtën çështje nga SCC Sports Channel, ai theksoi: “Ronaldo është i zënë në Kupën e Botës dhe nuk mendoj se po bisedon me ndonjë klub ai”.

Ronaldo nuk është më në Kupën e Botës në fakt, pasi Portugalia e tij u eliminua në çerekfinale të shtunën e kaluar, pas disfatës tronditëse kundër Marokut.

Ditëve të fundit, Ronaldo është duke u stërvitur në qendrën stërvitore të Real Madridit në kryeqytetin spanjoll me lejen e ish-klubit.

Ronaldo ende nuk ka vendosur për të ardhmen, pavarësisht lajmeve të bujshme për kalimin e tij në Arabinë Saudite.

Raportohet se interesim për të kanë shfaqur edhe klubet rivale të Manchester Unitedit në Premierligë.

Lajme të ngjashme