Presidenti i Barcelonës: E shikuan ndeshjen e Interit së bashku, ishte një torturë e vërtetë
Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, e pranoi se ndeshja e skuadrës së tij kundër Bayern Munich të mërkurën ishte shumë e koklavitur emocionalisht, duke thënë se i gjithë klubi përjetoi torturë duke e shikuar Interit duke e mposhtur Viktoria Plzenin paraprakisht.
Triumfi i Interit 4:0 kundër Plzenit e la edhe matematikisht jashtë Ligës së Kampionëve Barcelonës, e cila e kishte shikuar në zhveshtore këtë ndeshje para se të dilte në fushë për t’u përballë me liderin e grupit Bayern.
“Ishte një ndeshje emocionale, pasi e pamë ndeshjen e Interit të gjithë së bashku, e cila ishte torturë për ne”, tha Laporta pas ndeshjes.
Laporta beson se humbja e Barçës 3:0 kundër Bayernit në Camp Nou u ndikua dukshëm nga fakti se skuadra ishte e eliminuar tashmë nga gara.
“Nuk mund t’i fajësojmë lojtarët për asgjë, ata bënë më të mirën që mundën në këtë ndeshje”, theksoi Laporta.
Ai dërgoi mesazh optimizmi tek të gjithë tifozët e Barcelonës: “Tani ne duhet të shikojmë përpara, e kemi La Ligën dhe garat e tjera. Ne e dinim se në këtë kohë ndërtimi të skuadrës do të kishte ngritje dhe rënie. Duhet të vazhdojmë të rritemi çdo ditë”.

Ky është sezoni i dytë radhazi që Barcelona nuk ia del ta kalojë fazën grupore në Ligën e Kampionëve.
Financat që janë të përfshira në këtë garë të nivelit të lartë do të thotë se largimi i hershëm i Barçës do të ketë pasoja të rënda për klubin. Presidenti Joan Laporta thuhet se ka buxhetuar sezonin e tyre duke supozuar se ata do të shkojnë në çerekfinale të kësaj gare.
Arritja në 1/16 e Ligës së Kampionëve ua siguron klubeve rreth 9.6 milionë euro fitim, ndërsa kualifikimi për në çerekfinale shpërblehet me 10.6 milionë euro të tjera. Kjo arrin në një buxhet prej rreth 20.2 milionë euro, të cilat Barcelona nuk mund t’i fitojë tani, gjë që është një humbje tejet e madhe duke pasur parasysh shpenzimet e mëdha dhe të rrezikshme të klubit gjatë afatit kalimtar të verës.

