Premierligë përjashton Roman Abramovichin nga pozita e drejtorit të klubit të Chelsea - NACIONALE

Premierligë përjashton Roman Abramovichin nga pozita e drejtorit të klubit të Chelsea

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Në ditën e tretë pas masave shtrënguese që i ndërmori qeverisja britanike, sot erdhi edhe një lajm i keq për klubin e Chelsea. Bëhet fjalë për vendimin e fundit të Premierligës që ta përjashtojë Roman Abramovichin nga posti i drejtorit të klubit, pasi ky i fundit mori sanksione të rënda nga institucionet shtetërore të Mbretërisë së Bashkuar.

Premierligë ka bërë të ditur që një vendim i tillë nuk do të ndikojë në të drejtën e klubit për t'u stërvitur dhe për t'i zhvilluar ndeshjet që i ka në program.

Gjatë kësaj jave ishin një mori sanksionesh që iu vendosen Roman Abramovichit, pasi ky i fundit shihet si një oligark i afërt me Putin dhe pushtetin e tij autokrat. Ngrirja e të gjitha aseteve të tij, përfshirë vetë pronësinë që ka tek Chelsea - këtë të fundit e ka futur në një qorrsokak të thellë, pasi tani për tani i ndalohen një varg gjërash: rinovimi i kontratave të lojtarëve, shitja e tyre, blerja e lojtarëve tjerë, e deri tek mos lejimi që të shitet klubi pa ndërruar licenca e tij, që nënkupton se autoritetet britanike janë të vendosura për të mos i lënë asnjë hapësirë oligarkit rus që të përfitojë asnjë shumë parash nga shitja eventuale e klubit në të ardhmen e afërt.

Roman Abramovich i bleu aksionet e Chelsea në vitin 2003 për një shifër parash prej 140 milion funtash. Epoka e tij si pronar i klubit londinez është karakterizuar me shumë trofe të fituara, ku veçohen 2 Liga të Kampionëve, 5 trofe të Premierligë dhe 5 të FA Cup.

Gjatë ditës e përditshmja angleze, Daily Telegraph, raportoi se është arritur një marrëveshje mes Roman Abramovichit dhe qeverisë britanike për shitjen e klubit, pasi këta të fundit gjatë këtyre ditëve kishin bllokuar edhe këtë proces. Siç thuhet në artikullin e publikuar nga e përditshmja britanike, qeveria e udhëhequr nga Boris Johnson i ka dhënë afat kohor prej 10 ditësh, që deri në fund të javës së ardhshme ta mbyllin kaptinën e shitjes së aksioneve të klubit, me kushtet e vendosura nga ta.

Kjo ka bërë që Abramovich t'ia ketë kumtuar The Rain Group, bankës amerikane përgjegjëse për shitjen e klubit, që ta riaktivizojë procesin e shitjes së aksioneve të Chelsea.

Deri tani janë disa afaristë të ndryshëm që kanë shfaqur interesim për t'i siguruar aksionet e klubit, përfshirë këtu edhe multimiliarderin Nick Candy, që konfirmoi hapur gjatë ditëve të fundit që është i interesuar të bëhet pronari i ri i Chelseat.

Lajme të ngjashme