Prekazi e qet në shitje fanellën e Partizanit të Beogradit, për viktimat e tërmetit në Turqi - NACIONALE

Prekazi e qet në shitje fanellën e Partizanit të Beogradit, për viktimat e tërmetit në Turqi

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Xhevat Prekazi, ish-futbollisti nga Kosova dhe tani ndihmëstrajneri i Serbisë U21, e ka nxjerrë në ankand fanellën e vet me Partizanin e Beogradit, të nënshkruar, në mënyrë që t’i ndihmojë viktimat e tërmetit vdekjeprurës në Turqi.

Turqia jugore dhe Siria veriore u goditën nga një tërmet i fuqishëm 7.8 ballësh mëngjesin e hershëm të 6 shkurtit, i cili i ka vrarë mbi 38 mijë njerëz në të dy vendet.

Numri i përgjithshëm i të vdekurve vetëm në Turqi që prej ditës së tërmetit është rritur në 31.643, sipas autoriteteve vendase.

Prekazi, i cili karrierën e nisi në klubin e vendlindjen në Mitrovicë KF Trepça para se t’i bashkohej Partizanit në Beograd, ka vendosur ta shesë në ankand fanellën e nënshkruar të ish-klubit të tij serb dhe paratë e mbledhur nga shitja e saj t’i dhurojë për viktimat e tërmetit.

Të mos mendojmë vetëm për të sotmen por edhe për të nesërmen për viktimat e tërmetit”, shkroi Prekazi të hënën në Twitter, ku e vendosi fanellën në shitje.

Ish-mesfushori 65-vjeçar i kaloi nëntë vite në Partizan në kryeqytetin serb, ku edhe jeton sot e asaj dite, para se të bënte karrierë të madhe në Turqi, ku luajti për gjigantin Galatasaray për gjashtë sezone.

Javën e kaluar, ai e shiti për rreth 10 mijë euro fanellën e vet të Galatasarayt dhe ato para i dhuroi për viktimat e tërmetit në Turqi.

Prekazi, i lindur në Mitrovicë nga prindër shqiptarë, tani është ndihmëstrajner i ekipit kombëtar U21 të Serbisë.

Në një intervistë në dhjetor të vitit 2022, Prekazi e pranoi se shkon rrallë në vendlindjen e vet në Remont të Mitrovicës.

Vitin e kaluar isha për pak atje. Pashë tre nga miqtë e mi nga rruga. Pjesa tjetër fatkeqësisht nuk është gjallë. Nuk kam parë askënd nga Remonti, përpos Miletoviqit që është këtu në Beograd”, kishte thënë ai.

Tërmeti shkatërrues në Turqi dhe Siri

Turqia jugore dhe Siria veriore u goditën nga një tërmet i fuqishëm 7.8 ballësh mëngjesin e hershëm të 6 shkurtit, i cili i ka vrarë mbi 38 mijë njerëz në të dy vendet.

Numri i përgjithshëm i të vdekurve nga tërmeti në Turqi që prej ditës së hënë është rritur në 31.643, sipas autoriteteve vendase.

Në Siri thuhet të kenë vdekur mbi 5.700 njerëz nga ky tërmet në zonat e kontrolluara nga qeveria dhe nga rebelët.

Tmerri i tërmetit të fuqishëm në Turqi i ka prekur edhe futbollistët në këtë vend, pasi raportohet se disa prej tyre kanë mbetur nën rrënoja dhe disa të tjerë janë lënduar.

Turqia është njëra prej zonave më aktive të tërmetit në botë, për shkak të pozitës gjeografike.

Shumica e Turqisë ndodhet në pllakën tektonike të Anadollit, e cila ndodhet mes pllakave të mëdha – euroaziatike dhe afrikane – si dhe mes një të vogle, arabike. Derisa dy pllakat e mëdha lëvizin, Turqia shtrydhet, thonë ekspertët.

Kjo nënkupton se tërmetet janë shumë të zakonshme në Turqi. Sipas Autoritetit për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave të Turqisë, në vitin 2022 u regjistruan hiç më pak se 22 mijë tërmete në Turqi.

Shumica e tërmeteve në këtë vend janë vdekjeprurëse. Tërmeti më i madh që e kishte goditur Turqinë deri sot ishte 7.6 ballësh në Izmit më 1999, duke i vrarë 17 mijë njerëz.

Tërmeti që goditi mëngjesin e sotëm, 7.8 ballësh, është më i madh që është regjistruar ndonjëherë në Turqi.

Lajme të ngjashme