Potter: Man Utd ka ndryshuar shumë që nga ndeshja e parë nën urdhrat e Ten Hag
Trajneri i Chelseat, Graham Potter, ka thënë se Manchester United ka ndryshuar shumë që nga ndeshja e parë në Premierligë kur ai drejtonte Brightonin, në fitoren kundër djajve të kuq.
Potter po përgatitet të përballet me United për herë të dytë këtë sezon, pasi i mundi ata në ditën e hapjes si trajner i Brighton, por tani në rolin e trajnerit të Chelseat.
Ten Hag e ka këndellur skuadrën e tij që atëherë, duke fituar gjashtë nga nëntë ndeshjet e ligës më pas, dhe shefi i Chelseat ka shpjeguar se çfarë ka ndryshuar.

"Shumë [ka ndryshuar]," tha Potter në konferencën e tij për shtyp para ndeshjes. "Ata kanë ndryshuar pak në mënyrën se si ndërtojnë aksionet, ata janë pak më të drejtpërdrejtë. Në të njëjtën kohë, kanë të njëjtën cilësi.
"Ata kanë kërcënimet si [Marcus] Rashford, Anthony, [Jadon] Sancho dhe Bruno Fernandes që luajnë një rol kyç për ta. Pra, ka shumë ngjashmëri, por ata duket se janë përshtatur me konkurrencën, janë përshtatur me njëri-tjetrin, kanë mësuar më shumë për njëri-tjetrin. Është me të vërtetë një proces normal."

United qëndron vetëm një pikë prapa Chelseat të Potterit që shkon në ndeshjen e kësaj fundjave në Stamford Bridge. Trajneri i ri i të kaltërve të Londrës nuk e ka shijuar ende humbjen, duke fituar tre dhe duke barazuar një nga katër ndeshjet e tij në Premierligë, duke mbajtur tre herë portën të paprekur në proces.
Fitorja e Brighton ndaj Manchester United në ditën e hapjes së sezonit ishte hera e parë që Pulëbardhët kishin fituar ndonjëherë në Old Trafford.

Dy gjigantët anglezë do të përballen të shtunën në një nga testet më të mëdha për Potter që kur ai mbërriti në Stamford Bridge. Pas ndeshjes ata të dy rikthehen në Evropë duke kërkuar të sigurojnë kalimin nga faza e grupeve të garat e tyre përkatëse, Chelsea në Ligën e Kampionëve e Manchester United në Ligën e Evropës.
