Epoka e Ten Hagut në Manchester United nis me humbje kundër Brightonit - NACIONALE

Epoka e Ten Hagut në Manchester United nis me humbje kundër Brightonit

1 vit më parë

nga Vivianit Gërguri

Manchester United nuk e ka filluar mbarë kampionatin anglez as në epokën e Erik ten Hag. Djajtë e kuq u mposhtën nga Brighton në shtëpinë e tyre me rezultat 2:1.

Ishte një ndeshje e balancuar, ku Manchester United po luante diç më mirë në pjesën e parë por po pësonte, ndërsa pjesa e dytë në shumicën e kohës ishte e mbizotëruar nga mysafirët që endnin topin pa frikë fare.

Ten Hag befasoi me formacionin titullar që shumë pak e prisnin. Ai filloi në sulm me Christian Eriksen kur pritej që Cristiano Ronaldo të startonte, pasi që Anthony Martial mungoi për shkak të lëndimit.

Pjesa e parë

Ndeshja e parë ndonëse ishte nën kontrollin e skuadrës së Erik ten Hag, rezultati nuk e tregoi aspak të njëjtën gjë.

Trajneri holandez i cili kishte edhe ndeshjen debutuese në Premierligë, assesi nuk po mund të bëhej rehat sepse skuadra e tij po e vuante rezultatin, por që edhe nuk po krijonte edhe aq shumë.

Kur po zhvillohej minuta e shtatë e takimit erdhi rasti më i mirë i pjesës për Manchester Unitedit. Ishte Bruno Fernandes ai që u gjend mirë në zonë por që befasisht topin e dërgoi lart mbi portë. Ishte e çuditshme sepse ishte në një distancë penalltie dhe një lojtar si portugezi në fjalë rrallë humbë ato shanse.

Në anën tjetër ish-lojtari i Arsenalit dhe Manchester Unitedit, Danny Welbeck, po i shkaktonte telashe të mëdha vijës së mbrojtjes së djajve të kuq.

Goli i parë i takimit erdhi në minutën e 30-të, me Pascal Gross, që shënoi lehtësisht, pas një pasimi të mirë të Welbeck.

David de Gea u shfaqë vendimtar për Unitedin në një rast si në shumë ndeshje tjera gjatë sezoneve të kaluara. Ai priti një goditje nga Solomon March, por nga topi i kthyer ishte sërish Pascal Gross ai që shënoi lehtësisht në golin e zbrazët për dyfishimin e epërsisë, kur po shënohej minuta e 39-të.

Manchesteri po mundohej të ndërtonte aksione por ishte më kot, pasi mbrojtja e dendur e Brightonit ishte e pakalueshme, apo edhe kur arrinin deri aty nuk arrinin të konkretizonin, si ishte rasti me Eriksen që dështoi të godiste ose ta kthente topin në zonë krejt në fund të pjesës së parë.

Kështu pjesa e parë mbaroi me rezultatin e minutës së 39-të, pra 2:0 për Brightonin.

Pjesa e dytë

Pas pjesës së parë të takimit ku po kryesonte Brightoni me rezultat 2:0 edhe pse nuk po luante në mënyrën më të mirë të mundshme, pjesa e dytë ishte fytyrë tjetër.

Skuadra mysafire hyri në këtë pjesë me një vetëbesim që vlen të cekët, pasi që kontrollonte topin në të gjitha pjesët e fushës.

Ishte Welbeck që menjëherë me të filluar takimi, saktësisht pas katër minutave rrezikoi të rriste epërsinë në 3:0, por goditja e tij shkoi jashtë.

Në minutën e 53-të takimit erdhi koha për Cristiano Ronaldon, i cili zëvendësoi Fredin që ishte jo i disponuar për lojë.

Por edhe me portugezin në lojë nuk është se arritën diçka të madhe.

Minuta e 68-të e takimit prodhoi rastin më të rrezikshëm në ndeshje për djajtë e kuq deri në atë kohë. Ishte Erikesen që me një goditje të fortë dhe të devijuar që rrezikoi por në vend u shfaq Robert Sanchez me një zgjatje të mirë, e pastaj Veltman e largoi topin jashtë.

Nga ajo rivënie nga këndi u shënua goli i djajve të kuq. Teksa po zhvillohej minuta e 68-të, ishte një goditje nga këndi, ku portieri mysafir bëri një dalje të gabuar e që pastaj i kushtoi me gol pasi që bashkëlojtari i tij MacAllister shënoi autogol. Sanchez pretendoi për një ndërhyrje në të por gjyqtari nuk mendoi kështu edhe pas shikimit të VAR. Rezultati u ngushtua në 2:1.

Më pastaj kryesimin në ndeshje e mori Manchesteri, që me disa raste rrezikoi por portieri në këto raste u tregua më vigjilent se në rastin e golit të pranuar.

Ndeshja deri në fishkëllimën përfundimtare të gjyqtarit nuk kishte ndryshim, rezultati ishte ai i minutës së 68-të, pra 2:1 për Brighton, dhe kështu epoka e Ten Hagut me Manchester Unitedin fillon me humbje.

Vuajtjet për tifozët e Unitedit nuk kanë të mbaruar, ku pas një sezoni të dëshpëruar në vitin e kaluar, tash me këtë humbje fillojnë të humbasin pritshmëritë për një sezon më të mirë tani.

Lajme të ngjashme