Portugalia dorëzohet për Mourinhon, arrin marrëveshje me Martinezin
Roberto Martinez pritet të emërohet si përzgjedhës i ri i Portugalisë. Gjithçka pritet të finalizohet në 48 orët në vijim. Edhe pse Jose Mourinho ishte opsioni i parë, gjatë kësaj kohe nuk u arrit që të gjendej një ujdi për afrimin e tij.
Pas shkëputjes të kontratës së Fernando Santosit, Federata e Futbollit të Portugalisë është angazhuar që ta gjejë pasardhësin e tij sa më parë. Mourinho ishte kandidati i preferuar qoftë i federatës, ashtu edhe i vetë tifozëve portugezë – por kontrata e tij me Roman e bëri thuajse të pamundur që të emërohej në pozitën e përzgjedhësit.
Gjatë orëve të fundit Portugalia ka studiuar të tjera alternativa. Emri i Roberto Martinezit shumë shpejt u përmend. Madje, pa kaluar shumë kohë palët kanë arritur të gjejnë një marrëveshje në parim.
Këtë lajm e konfirmon edhe vetë mediumi i besueshëm “The Athletic”, përmes gazetarit të saj të mirënjohur David Ornstein.
“Roberto Martinez ka arritur marrëveshje verbale për të qenë trajner i Portugalisë. Emërimi si pasardhës i Fernando Santos do duhej finalizuar rreth fundit të javës së ardhshme. 49-vjeçari spanjoll ka pasur edhe interesime nga klube dhe kombëtare tjera me t’u larguar nga pozita e përzgjedhësit të Belgjikës”, shkroi Ornstein.
🚨 EXCL: Roberto Martinez has reached verbal agreement to become Portugal coach. Appointment as Fernando Santos successor likely to be finalised towards end of next week. 49yo Spaniard has had club + int’l interest since leaving Belgium role @TheAthleticFC https://t.co/8sC6PhvdC3
— David Ornstein (@David_Ornstein) January 7, 2023
Kapitulli i fundit me Belgjikën i trajnerit spanjoll la shumë për të dëshiruar. Ai nuk arriti që ta siguronte qoftë kalimin në fazën e eliminimit direkt. Maroku dhe Kroacia kaluan tutje, ndërkaq Belgjika u eliminua në fazën e grupeve.

Një eliminim i cili pashmangshëm i kushtoi me shkarkim të parevokueshëm nga pozita e përzgjedhësit të kombëtares belge.
Nëse do të zyrtarizohet në krye të Portugalisë atë do ta presin shumë sfida. Njëra nga to është edhe menaxhimi i Cristiano Ronaldos, që pararendësit të tij i shkaktoi shumë kokëçarje, pasi lënia në stol në ndeshjet e eliminimit direkt shkaktoi shumë bujë dhe reagime të mëdha, si dhe pakënaqësi nga vetë pesë herë fituesi i Topit të Artë.
