Portieri më i mirë i vitit: Ja pse Stivi Frashëri ishte më i miri, pavarësisht se FFK-ja e zgjodhi Enea Koliçin
Fundi i vitit erdhi, dhe si çdoherë tjetër edhe kësaj radhe u shpallën lojtarët më të dalluar të vitit në Superligën e Kosovës nga FFK-ja, por te çmimi ‘portieri më i mirë i vitit’ pati hatër mbetje, pasi Enea Koliçi i Gjilanit u shpall më i miri, e më këtë nuk ishte i kënaqur Stivi Frashëri i Ballkanit.
A kishte të drejtë apo jo, le ta mësojmë nga statistikat për 12 muajt e vitit 2022.
Gjatë vitit kalendarik 2022, Ballkani nga Suhareka u shpall kampion për sezonin 2021/22, dhe kjo ishte hera e parë në histori të klubit. Në këtë arritje, padyshim që rol të madh pati portieri nga Shqipëria, Frashëri, i cili tregoi qartazi kualitetet e tij në fushën e lojës, ndoshta edhe mangësinë që pati në vitet e kaluara kampioni në fuqi, që dështonte të shpallej kampion.
32-vjeçari me të drejtë mund të jetë i revoltuar pse nuk u zgjodh më i miri i vitit, në konkurrencë me Koliqin e Gjilanit, që pavarësisht se është një nga më të mirët, statistikat janë në të mirë të gardianit të Ballkanit.
Korçari në natën kur u shpallën më të mirët, postoi në rrjetin social në Instagram, ku shkroi: “Faleminderit për përkrahjen false, çfarë turpi për të gjithë atë që kam bërë!”

Ky u mor si mesazh direkt për ata që zgjodhën më të mirët, me shumë gjasë për këtë e kishte portieri shqiptar.
Stivi Frashëri vs Enea Koliçi
Në bazë të statistikave të mbledhura për të gjitha paraqitjet gjatë vitit 2022, ku përfshihen paraqitjet e sezonit 2021/22 dhe 2022/23, Stivi Frashëri qëndron shumë larg nga Enea Koliçi, dhe me shumë të drejtë ka qenë në pritje të këtij çmimi, për atë se çfarë ka arritur.
Përveç titullit kampion që mori me klubin e Ballkanit, ai qëndron më mirë edhe në gola të pranuar për ndeshje, e gjithashtu ka më shumë ndeshje pa pranuar gol.
Le të fillojmë me sezonin 2021/22
Stivi Frashëri në pjesën e dytë të sezonit 2021/22 zhvilloi në total 16 ndeshje, ku pranoi nëntë gola apo 0,56 gola për ndeshje, ndërsa në 11 raste mbajti portën e paprekur.
Enea Koliçi zhvilloi 13 paraqitje, ku pësoi 14 gola apo 1,07 gola për ndeshje, teksa mbajti golin e paprekur në pesë raste, gjashtë më pak se Frashëri.
Në fund të sezonit të dy portierët siguruan një vend në garat evropiane, por Stivi me Ballkanin ishte kampion dhe luajti në kualifikimet për Ligën e Kampionëve, ndërsa Enea me Gjilanin përfunduan në vendin e tretë, për të shkuar në kualifikimet për Ligë të Konferencës.
Sezoni 2022/23
Tashmë kur është zhvilluar gjysma e sezonit në Superligën e Kosovës, Stivi sërish është në luftë për titullin kampion me skuadrën e tij Ballkanin, ku janë me pikë të barabarta me liderin Dritën, ndërsa Enea gjendet në pozitën e katërt me pikë të barabarta me Prishtinën e vendit të tretë, por 11 pikë larg dy pozitave të para.
Si rrjedhojë nga tabela momentale, edhe në statistikat për sezonin 2022/23 larg më mirë qëndron Frashëri.
Stivi Frashëri ka zhvilluar 15 nga 18 ndeshjet e zhvilluara të skuadrës së tij në këtë gjysmësezon, duke pranuar nëntë gola apo 0,6 gola, teksa ka mbajtur portën e paprekur në tetë raste, pra më shumë se në gjysmën e ndeshjeve të zhvilluara.
Enea Koliçi u paraqit në të gjitha ndeshjet, pra në 18 prej tyre, nga ku ka pranuar 21 gola apo 1,16 gola për ndeshje dhe portën e paprekur e ka mbajtur në vetëm gjashtë ndeshje.
Pra, gjatë tërë vitit kalendarik, Stivi Frashëri ka qëndruar shumë më mirë se Enea Koliçi në çdo statistikë, me të cilat definojnë edhe më të mirin e vitit në ligat më të forta botërore, dhe me shumë të drejtë Stivi mund të jetë i prekur që arritjet e tij nuk u vlerësuan në fund.
