FFK-ja shpall Vedat Muriqin lojtarin më të mirë të vitit
Sot me fillim nga ora 17:00 është mbajtur ceremonia e shpalljes së laureatëve të vitit 2022 nga Federata e Futbollit e Kosovës, ku Vedat Muriqi është shpallur lojtari më i mirë i vitit për herë të dytë, ndërsa futbollisti më i mirë në Superligë u shpall Armend Thaçi.
Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës që ka zhvilluar një gjysmësezon shumë të mirë me Mallorcan në Laliga nuk ishte i pranishëm, por me anë të një mesazhi u shpreh i lumtur për çmimin, duke falënderuar bashkëlojtarët e tij në Kombëtare.
“Urime festat e fundvitit. Jam shumë krenar dhe i lumtur për çmimin. Kjo është hera e dytë që po zgjidhem më i miri dhe shpresoj që viti 2023 të jetë viti i Kosovës që të arrijmë majat në aspektin ekipor. Për këtë çmim falënderoj bashkëlojtarët në Kombëtare”, tha ndër tjera Muriqi.
Çmimin tjetër të rëndësishëm e fitoi, Armend Thaçi i Ballkanit, që u shpall lojtari më i mirë i Superligës së Kosovës, pas paraqitjeve mbresëlënëse në vazhdimësi, ku ndihmoi suharekasit drejt triumfit të parë në elitën e futbollit kosovar.
Ilir Daja u shpall trajneri i vitit. Kjo e kuptueshme, pasi skuadra e tij ishte kampione në sezonin që lamë pas, ndërsa ka nisur shumë mirë edhe kampanjën e këtij viti, duke ndarë vendin e parë me Dritën.
Sulmuesi nga Maqedonia e Veriut, Marko Simunovski, ishte golashënuesi më i mirë i vitit, Ferizaj u shpall klubi më ‘fair-play’ dhe Genc Nuza ishte gjyqtari më i mirë për herë të tretë radhazi.
Në formacionin e vitit dominoi Ballkani me gjashtë futbollistë prezent, e ndjekur me dy futbollistë të Dritës, ndërsa Llapi, Prishtina e Gjilani patën nga një përfaqësim.
Portieri: Enea Koliçi(Gjilani);
Mbrojtësit: Ardian Limani(Drita), Astrit Thaqi(Ballkani), Lumbardh Dellova(Ballkani), Armend Thaqi(Ballkani);
Mesfushorët: Ermal Krasniqi(Ballkani), Endrit Krasniqi(Prishtina), Lindon Emërllahu(Ballkani), Ilir Krasniqi(Llapi);
Sulmuesit: Marko Simunovski(Drita), Albion Rrahmani(Ballkani).
