Pogba mund të mungojë deri në dy muaj
Rikthimi i bujshëm i Pogbas te Juventus nuk ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme. Në stërvitjen e djeshme mesfushori francez u shoqërua jashtë fushës për shkak të një lëndimi.
Në momentin e parë nuk dukej diçka shumë serioze. Vetë mjekët e klubit nuk ishin shumë të shqetësuar. Me kalimin e kohës, dhimbja që ndjente Pogba, pasi u lëndua, filloi të përshkallëzojë çdo gjë.
Pjesën e dytë të seancës së djeshme stërvitoe, Paul Pogba u detyrua ta vëzhgojë nga stoli. Me të përfunduar seanca stërvitore, ai u nënshtrua ekzaminimeve mjekësore.
Komunikata e Juventusit
Përmes një komunikate zyrtare, Juvetus ka njoftuar për gjendjen fizike të mesfushorit francez, me të dalë rezultatet e para të ekzaminimeve diagnostike.
"Pasi ndjeu dhimbje në gjurin e djathtë, Paul Pogba i është nënshtruar në mënyrë të detajuar testeve radiologjike, të cilat kanë nënvizuar një shqetësim muskular në mensikun anësor", thuhet në komunikatën e "zonjës së vjetër".
Ky lëndim i Paul Pogba bëri që tifozët e Juventusit të ndiheshin të zhgënjyer, pasi shpresonin që ai të ishte në gatishmëri për fillimin e kampionatit.
Gati dy muaj jashtë fushës
Lëndimi në fjalë mund ta lërë Pogban deri në dy muaj jashtë fushës. Edhe pse, mediet e afërta me Juventusin raportojnë se ka një besim se ai do të rekuperohet brenda një kohe prej 25 ditësh.
Allegri shpreson që ta ketë në gatishmëri për javën e tretë të kampionatit, që luhet më 27 gusht, ku Juventus do ta ketë si kundërshtar Romën në "Allianz Stadium".
Shkalla e rekuperimit do të varet nga ndërhyrje kirurgjike. Nëse do të procedohet me një ndërhyrje të tillë, atëherë seriozisht mund të rrezikohet që kohëzgjatja e mbetjes jashtë fushës së blertë të vazhdojë për dy muaj.
Diçka e tillë do të sqarohet pas pak ditësh. Nëse shkohet me skenarin e fundit, atëherë ai do të rikthehej tek në fund të shtatorit, me ç'rast do t'i humbte tetë javët e para të Serie A 2022/2023.

