Kushtrim Gashi nuk pajtohet me vendimin e Ilir Dajës dhe largohet nga grumbullimi - NACIONALE

Kushtrim Gashi nuk pajtohet me vendimin e Ilir Dajës dhe largohet nga grumbullimi

4 vjet më parë

nga Edonis Bytyqi

Një situatë aspak e këndshme ka ndodhur gjatë stërvitjes së sotme te skuadra e Ballkanit, një ditë para ndeshjes ndaj Zalgiris në kuadër të raundit të parë kualifikues për Ligën e Kampionëve.

Mesfushori Kushtrim Gashi do të mungojë në ndeshjen e nesërme pas një ‘incidenti’ të ndodhur me trajnerin Ilir Daja.

Gazeta Nacionale me burime të sigurta pranë klubit merr vesh që problemi nisi pasi Daja e njoftoi Gashin që nesër nuk do të jetë nga minuta e parë.

Sipas këtyre burimeve, mesfushori ka reaguar keq pasi mësoi se nuk do të luajë titullar dhe u largua menjëherë nga grumbullimi.

Nuk ka pasur konflikt veçse Kushtrimi është larguar nga grumbullimi pasi Daja i tregoi se nuk do të jetë titullar. Kështu nuk duhet të reagojë asnjë futbollist pasi jo gjithmonë do të luash nga minuta e parë”, thotë një burim pranë klubit në kushte anonimiteti për Nacionalen.

Mirëpo, nuk është hedhur poshtë që Gashi të rikthehet për ndeshjen kthyese, në rast që përmirësohet situata me teknikun nga Shqipëria.

Kështu, tashmë është e konfirmuar që përpos Rrustem Hoxhës edhe Kushtrim Gashi nuk do të paraqitet fare nesër ndaj Zalgiris.

Ballkani nesër do ta zhvillojë ndeshjen ndoshta më të rëndësishme në histori të klubit, në kuadër të kualifikimeve për Ligën e Kampionëve kundër kampionit të Lituanisë.

Daja në konferencë për shtyp para se të ndodhte “incidenti në fjalë” konfirmoi se të gjithë lojtarët do të jenë të gatshëm për të bërë paraqitje sa më dinjitoze.

“Përveç Rustemit, të cilit i uroj një rikthim sa më të shpejtë pas operimit në gju, besoj që të gjithë kontingjentin e kemi në dispozicion. Të gjithë lojtarët që janë psikologjikisht, fizikisht, teknikisht dhe taktikisht të gatshëm për të përballur ndeshjen e nesërme. Besoj që do ta kemi grupin e plotë”, deklaroi ai ditën e hënë.

Ndërkohë, përballja mes Ballkanit dhe Zalgiris zhvillohet në “Fadil Vokrri” me fillim nga ora 20:00.

Lajme të ngjashme