Ilir Daja: Kemi një ndeshje të vështirë, lojtarët janë të gatshëm - NACIONALE

Ilir Daja: Kemi një ndeshje të vështirë, lojtarët janë të gatshëm

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja, e pret një sfidë të vështirë nesër, por beson se mund të arrijnë rezultat pozitiv.

Daja në konferencë për media tha se kundërshtari ka kaluar një edicion të mirë, mirëpo “Xhebrailat” janë të përgatitur të japin më të mirën.

“Kemi një ndeshje të vështirë. Kjo jo për faktin që ekipi kundërshtar është në vazon e parë për shkak të eksperiencës që ka nëpër kompeticionet evropiane. Është një skuadër që ka fituar disa tituj në kampionatin lituanez, në Kupa dhe Superkupa. E shton vështirësinë edhe fakti se janë në periudhë gare dhe kanë ritmin e ndeshjes sepse janë në pikun e kampionatit atje. Kanë bërë një kampionat të mirë. Gjithsesi kjo nuk do të thotë që ne do të futemi të dorëzuar, pavarësisht se është hera e parë për shumë lojtarë që marrin pjesë në të tilla kompeticione. Por, jemi përgatitur që të japim më të mirën e mundshme, sigurisht me aq kohë sa kishim në dispozicion dhe me grupin e lojtarëve që pothuajse e kemi të plotë”, tha fillimisht ai.

I pyetur për formacionin e mundshëm, Daja nënvizoi se do të ketë disa ndryshime, mirëpo duhet të jenë të kujdesshëm pasi janë vetëm dy lojë.

“Nuk mund të hyjë në detaje, por kemi vendosur të ndryshojmë pak manovrën sepse këto ndeshje janë me eliminim dhe nuk janë si puna e kampionatit, që edhe po bëre një hap fals, ke mundësi që ta rikuperosh rrugës. Këtu të jepet mundësia dy herë me nga 90 minuta, kështu që duhet të jemi të kujdesshëm. Nuk duhet të humbasim asnjëherë ekuilibrin, pasi kundërshtari ka lojtarë të shpejtë dhe mund të na godasin. Kemi përdorur dy variante që do t’i prezantojmë nesër. Shpresojmë që me zgjedhjen që kemi bërë, me strategjinë dhe manovrën që kemi përdorur edhe në këto ndeshjet miqësore, kemi gjetur atë më të mirën për të na çuar drejt një rezultati pozitiv nesër, në ndeshjen e parë.”

Në fund, trajneri konfirmoi se të gjithë lojtarët janë të gatshëm përpos Rrustemit, të cilit i uroi shërim të shpejtë.

“Përveç Rustemit, të cilit i uroi një rikthim sa më të shpejtë pas operimit në gju, besoj që të gjithë kontingjentin e kemi në dispozicion. Të gjithë lojtarët që janë psikologjikisht, fizikisht, teknikisht dhe taktikisht të gatshëm për të përballur ndeshjen e nesërme. Besoj që do ta kemi grupin e plotë.”

Për fund kujtojmë se sfida mes Ballkanit dhe Zalgiris zhvillohet në “Fadil Vokrri” me fillim nga ora 20:00.

Lajme të ngjashme