Pjanic: Stërvitjet me Koeman ishin pa intensitet, tani me Xavin ka përgatitje serioze - NACIONALE

Pjanic: Stërvitjet me Koeman ishin pa intensitet, tani me Xavin ka përgatitje serioze

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Miralem Pjanic është larguar nga futbolli evropian për ta filluar një epokë të re me Sharjah në Emiratet e Bashkuara Arabe. Ai është rikthyer të flasë për periudhën e kaluar te Barcelona.

Kaloi me bujë te katalonasit nga Juventus, por asnjëherë nuk gjeti shkëlqim. Mesfushori boshnjak, Miralem Pjanic, nuk ka hezituar asnjëherë të tregojë se ku qëndronte problemi sipas tij për mos ambientim të duhur në fanellën “blaugrana”.

Në qendër të kritikave të tij ka qenë gjithmonë ish-trajneri i Barcelonës, Koeman. Gjatë një interviste dhënë për “SER Catalunya”, i ka renditur të gjitha arsyet që kanë shtyrë atë që të largohej nga klubi spanjoll.

Pjanic nuk ka diskredituar aspak trajnerin aktual të Barcelonës, Xavi Hernandez, për të cilin ka thënë fjalë admiruese.

Habia me stërvitjet e Koemanit dhe raporti me Xavin

Përfaqësuesi boshnjak, Pjanic, nuk është i lumtur aspak për mënyrën se si ka shkuar periudha e tij si lojtar i Barcelonës, duke mos mundur të lë gjurmë. Ai ka hedhur akuza mbi Koemanin, për të cilin ka thënë që nuk ka qenë në lartësinë e duhur që të përgatiste siç duhej stërvitjet e skuadrës.

“Keqardhja ime më e madhe është se nuk ia kam arritur të bëja atë çfarë doja te Barcelona. Me Koeman kam kaluar një periudhë të keqe. Ai ka qenë motivi kryesor pse unë jam larguar në drejtim të Besiktasit. Kam mbetur shumë i befasuar, sepse stërvitjet me të ishin të shkurtra, pa intensitet dhe nuk flitej për taktika apo për idee të lojës”, tha ai.

Për më tepër ai renditi edhe një tjetër shqetësim që e brengoste atë si ish-futbollist të Barcelonës: “Nuk përgatiteshim në mënyrën më të mirë të mundshme për ndeshjet që do t’i zhvillonim.”

Fjala krejt tjera Pjanic ka për trajnerin e sotëm të Barcelonës, Xavi. Ai beson që tani klubi është në duar të sigurta dhe se gjërat kanë ndryshuar për të mirë.

“Tani ka një përgatitje serioze me Xavin, njësoj si ajo që bëja me Juventus, ku kam fituar gjithçka. Kur të arrish te një klub i madh si Barcelona duhet të vihesh menjëherë në pah dhe t’i dëshmosh trajnerit që mund të jesh pjesë e ekipit. Këtë vit me Xavin gjithçka ka shkuar mirë. Raporti me të dhe stafin, me skuadrën dhe me vizionin e lojës. Sigurisht shumë më mirë sesa në sezonin paraprak”, nënvizoi ai.

Pjanic nuk la pa përmendur edhe atë që sipas tij është më se e dukshme: vizioni i lojës. Largimin nga klubi katalonas e ka vlerësuar të vështirë.

“Tani shihet që skuadra është krejt ndrshe. Ka një strukturë tjetër dhe i kanë idetë e qarta të lojës. Nuk ka qenë e lehtë të largohesha nga Barcelona. Xavi dëshironte që të qëndroja, por në ndeshjet e para nuk kam mundur t’i tregoj aftësitë e mia. Nuk ishte e qartë se sa shumë do të luaja”, përfundoi ai.

Mesfushori 32-vjeç tani karrierën po e vazhdon te Sharjah. Ai ka menduar që ta bëjë këtë hap në kerrierën e tij, edhe pse gjatë afatit kalimtar veror ka pasur oferta edhe nga klube tjera evropiane.

Epoka e tij më e artë si futbollist mbetet në Serie A me fanellat e Romës dhe Juventusit, ku ka bërë dallimin në rolin e organizatorit të lojës në mesfushë, duke fituar edhe shumë trofe, në përjashtim të Ligës së Kampionëve.

Lajme të ngjashme