Pioli: Për ne ndaj Chelseat do të jetë shumë e vështirë - NACIONALE

Pioli: Për ne ndaj Chelseat do të jetë shumë e vështirë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Stefano Pioli u shfaq i lumtur pas përfundimit të ndeshjes kundër Empolit, të cilën skuadra e tij e fitoi me rezultat 1:3.

Pas triumfit të sotëm, Milan duhet që të koncentrohet sa më parë për sfidën e madhe që e pret në Ligën e Kampionëve ndaj londinezëve.

Milan nuk e ka aspak dytësor angazhimin në kompeticionin më të madh evropian. Madje, Pioli theksoi se ka parë ndeshjen e sotme të Chelseat dhe kishte një paralajmërim për ekipin e tij.

“Sot ishte e rëndësishme që të zhvillonim një paraqitje të mirë, sepse ndoqa edhe Chelsea dhe do ta kemi shumë të vështirë", tha ai.

Sa i përket kampionatit dhe fitores së sotme, Pioli ka bërë thirrje që të mos shikohet shumë tabela pas kësaj fitore: “Tani të mos e shikojmë. Ishte e rëndësishme të fitonim pas humbjes kundër Napolit. E ndjenim rëndësinë e kësaj ndeshje, sepse kishim të bënim me një Empoli që di të vendoset mirë në fushë. Kemi punuar mirë gjatë pauzës së kombëtareve.”

Ajo çfarë vazhdon ta shqetësojë shumë Milanin është lista e gjatë e lojtarëve të lënduar. Sot, u lënduan edhe tre të tjerë gjatë ndeshjes: Saelemaekers, Calabria dhe Kjaer.

Të tre lojtarët mund të mos jenë në gatishmëri të ekipit për sfidat e radhës që janë shumë përcaktuese, pasi Milan dy herë radhazi do të përballet ndaj Chelseat në Ligën e Kampionëve, kurse në kampionat do ta luajë derbin ndaj Juventusit.

“Lëndimet e sotme janë për t’u shqyrtuar se të çfarë shkalle janë. Ai i Calabria besoj që është goxha serioz. Për të tjerët, të shohim. Megjithatë, me këtë shprit skuadre jemi të gatshëm edhe për ndeshjet vijuese”, pohoi ai.

Trajneri italian shtoi se është i kënaqur me rrugëtimin e ekipit dhe se projekti është afatgjatë: “Projekti ynë është afatgjatë. Pas pak bëhen tre vite që jam pjesë e kësaj skuadre dhe jam shumë i lumtur. Tashmë konceptet i kemi. Pashë një skuadër të fortë. Ka pasur ndonjë gabim, ndokund kemi hasur në vështirësi, por mua më ka pëlqyer skuadra spot.”

Me këtë fitore Milani shkon në kuotën e 17 pikëve, duke u renditur në pozitën e 3-të tabelore. Ndërkaq, Empoli zë vendin e 14-të me 7 pikë të grumbulluara.

Deri në pauzën për zhvillimin e Botërorit në Katar, Milan do t’i luajë edhe dhjetë ndeshje tjera. Kampioni në fuqi italian prioritet kryesor gjatë këtyre javëve ka që ta sigurojë plasmanin në mesin e 16 skuadrave më të mira në Ligën e Kampionëve, gjë të cilën nuk arriti ta bëjë në edicionin paraprak

Ndryshe nga atëherë, tani është në një grup më të lehtë dhe me pikë më mirë. Milan kryeson grupin E me 4 pikë, kur deri më tani janë zhvilluar dy xhiro.

Lajme të ngjashme