Milan fiton me dramë kundër Empolit - NACIONALE

Milan fiton me dramë kundër Empolit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ndonëse me mjaft mund, Milani arriti të shënojë një fitore të çmuar në udhëtim kundër Empolit me rezultat 1:3. Rezultati nuk ishte pasqyrë krejtësisht e vërtetë e asaj çfarë u pa në fushë.

Milani fitoi tre pikë në sfidën e sotme ndaj Empolit, por për fatin e keq të vet duhet t’i bëjë llogaritë edhe me tre lojtarë tjerë që u lënduan gjatë ndeshjes, duke iu shtuar kështu listës së gjatë të lojtarëve që janë në fazë të rikuperimit.

Për shkak të një lëndimi që pësoi ditë më parë mungoi Ardian Ismajli për skuadrën e udhëhequr nga Zanetti. Ai do të qëndrojë për disa javë jashtë fushës së blertë.

Ndërkaq, Samir Ujkani edhe kësaj radhe, si rëndom, ishte në stol.

Raporti i ndeshjes Empoli 1:3 Milan

Milan hyri në ndeshje me qasje sulmuese. Në minutën e 7-të ishte Giroud ai që pati një mundësi të mirë shënimi, por nuk u tregua konkret.

Iniciativa në lojë e Milanit vazhdoi në çerekun e parë të lojës. Empoli luante e tërhequr dhe me pasime horizontale më shumë.

Milani me dy krahët e sulmit u shfaq i rrezikshëm në pjesë të parë. Si Leao, ashtu edhe Saelemaekers, patën disa depërtime në zonë, që heraherës vunë në vështirësi mbrojtjen e Empolit.

Ndërkaq, rasti më i mirë në pjesë të parë u shënua në minutën e 42-të nga Leao, goditja e të cilit përfundoi jashtë shtyllës së djathtë.

Duhet thënë se në pjesë të parë Milani ishte i pafat sa i përket faktit që u detyrua t’i zëvendësojë dy lojtarë. Së pari u lëndua Saelemaekers në minutën e 33-të, duke u zëvendësuar nga Krunic, kurse gjashtë minuta më vonë u lëndua edhe Calabria, për t’ia lënë vendin Kalulus.

Në pjesën e dytë ishte Empoli që hyri me një vendosmëri më të madhe në fushë. Marin dhe Satriano në 10 minutat e parë provuan që me goditjet e tyre ta vënin në vështirësi portierin Tatarusanu.

Milani vazhdonte të ishte më kërkues, por pa prodhuar aksione të mirëfillta. Edhe Olivier Giroud hasi në vështirësi të mëdha, pasi nuk u shërbye si zakonisht.

Për Empolin nga minuta e 59-të në lojë hyri përfaqësuesi shqiptar, Nedim Bajrami. Ai pati një mundësi të mirë shënimi, por përballë portierit dështoi që ta shpinte topin në rrjetë.

Kjaer në minutën e 72-të kërkoi zëvendësimin. Mbrojtësi danez nuk ia doli që ta vazhdojë lojën. Si rrjedhojë, të dy skuadrat bënë zëvendësime tjera.

Në përgjithësi loja që u pa në fushë në pjesën e dytë ishte shumë më e ngadalshme sesa zakonisht, ndërsa kokëçarjet me lëndimet vazhduan.

Rebic hyri në lojë në minutën e 73-të, duke zëvendësuar sulmuesin francez, Giroud. Ai për gjashtë minuta nuk ishte fare në kontakt me topin.

Mirëpo, në prekjen e parë sulmuesi kroat futi topin në rrjetë. Zhvillohej minuta e 79-të kur Leao u lirua mjaft mirë dhe shërbeu me elegancë në drejtim të Rebic, i cili fare pranë portës nuk gaboi, për t’ia sjellë epërsinë Milanit.

Nga ky moment filloi që ndeshja ta pësonte një dramë të vërtet. Ishte Nedim Bajrami ai që në minutën e 92-të barazoi rezultatin në gjuajtja e lirë, duke shënuar një gol që ishte kryevepër.

Mirëpo, Milan nuk u dorëzua dhe mblodhi forcat, duke rikthyer epërsinë. “Kuqezinjtë” shënuan me Ballo-Toure në minutën e 94-të.

Ndërkaq, për ta vulosur fitoren u përkujdes këmbëshpejti portugez, Leao, i cili shënoi dy minuta më vonë.

Me këtë fitore Milani shkon në kuotën e 17 pikëve, duke u renditur në pozitën e 3-të tabelore. Ndërkaq, Empoli zë vendin e 14-të me 7 pikë të grumbulluara.

Lajme të ngjashme