Përkundër paraqitjes së mirë Ballkani pëson humbje ndaj Viktoria Plzen, Dinamo Zagrebi lehtësisht e mposht Astanën
Ballkani e ka nisur aventurën në Ligën e Konferencës sot me ndeshjen si mysafire ndaj Viktoria Plzen, ku pësuan humbje me rezultat minimal 1:0, përkundër paraqitjes së mirë të skuadrës së Ilir Dajës. Në anën tjetër Dinamo Zagreb ka fituar 5:1 ndaj Astanës, në po të njëjtin grup.
‘Xhebrailat’ u paraqiten shumë për gjatë tërë lojën, duke mos u treguar fare inferior ndaj një favoriti si Plzen, që hiç më pak se sezonin e kaluar luante në grupet e Ligës së Kampionëve me gjigantët Inter dhe Barcelona.
Pjesa e parë e këtij takimi në Doosan Arena ishte tejet e barabartë, me Ballkanin që bënte kombinime më të bukura në fushë, por të vetmin rast në drejtim të portës e patën vendasit, që u prit shumë lehtë nga Enea Koliçi, me pjesën e parë që u mbyll pa gola.
45 minutat e dyta nisën me vendasit që kërkonin të dilnin në epërsi, por jo që krijuan ndonjë rast shumë të rrezikshëm deri në shënimin e golit.
Goli i vetëm i takimit erdhi vetëm në minutën e 73-të kur Lukas Kalvach me një goditje të fortë nga distanca e ndihmuar me një devijim shënoi për 1:0.
Ballkani nga ajo minutë mori iniciativën në fushë dhe iu afrua golit tejet shumë me Qëndrim Zybën, por topi përfundoi fare pranë portës.
Rezultati deri në fund mbeti i pandryshuar dhe Viktoria Plzen me fitoren 1:0 mori pikë e plota.
Në anën tjetër, Dinamo Zagreb ka fituar 5:1 ndaj Astanës, në ndeshjen tjetër të grupit C, duke marrë primatin e grupit pas javës së parë.
Petkovic me dy gola të shënuar (43’ dhe 53’), Bulat në minutën e 58-të, Marin në 85-tën dhe Halilovic në minutat shtesë, shënuan për gjigantin kroat, ndërsa golin e vetëm për Astanën e shënoi Hovhannisyan në minutën e 78-të.

