Peja triumfon ndaj mikpritësit të Superkupës Yllit, i bashkohet Trepçës në finale
KB Peja me përmbysje të rezultatit ka arritur ta mposhtë mikpritësin e Superkupës së Kosovës, Yllin. ‘Shqiponjat’ triumfuan me rezultat 79:72, kështu për t’iu bashkuar KB Trepçës në finalen e madhe.
Edhe pse vendasit e dominuan këtë takim pothuajse tërësisht, ata dështuan që të qëndrojnë në epërsi në momentet vendimtare të ndeshjes.
Pjesa e parë e takimit u fitua nga Ylli me 11 pikë në epërsi apo 41:30, ku u dalluan dy vendorët startues, Valon Bunjaku e Gëzim Morina, me kombinim prej 17 pikëve.
‘Shqiponjat’ e nisën më mirë pjesën e dytë, me çka arritën ta shkrinin rezultatin. Fillimisht triumfuan në çerekun e tretë me rezultat 22:17, për shkuar në 10 minutat e fundit me shtatë pikë disavantazh, ndërsa në çerekun e fundit ishin ta pakompromis, ku u shënua epërsia me e thellë ndërmjet çerekëve, 27:14 në të mirë të Pejës, me ndeshjen që u përmbyll me rezultat 79:72.
Peja kështu shkon në finale të Superkupës së Kosovës, aty ku e pret KB Trepça, e cila e eliminoi më herët Prishtinën.
Më i dalluari në ndeshje ishte vendori Lis Shoshi, me 21 pikë e nëntë rebounds, i cili i ndihmua nga Calloway me 20 pikë e Davis me 17 pikë e shtatë rebounds.
Për të parë statistikat e plota të ndeshjes, klikoni këtu.
Ndeshja finale e Superkupës së Kosovës do të zhvillohet të dielën mes Pejës e Trepçës, skuadra këto që ishin në finale të Superligës në sezonin që lamë pas, ku pejanët triumfuan në serinë e pesë ndeshjeve.
