Pasi shkëlqyen ndaj Napolit tani Milani ndalet me barazim pa gola nga Empoli
Serie e fitoreve nuk i ka zgjatur shumë kampionit në fuqi të Italisë, Milanit, pasi tani ata kanë barazuar pa gola me Empolin në San Siro, për të vënë në rrezik pozitën e tretë në renditjen tabelore.
Skuadra e Stefano Piolit erdhi nga një fitore e thellë në udhëtim te lideri Napoli gjatë fundjavës së kaluar me rezultat 4:0, duke ndërprerë serinë pa fitore prej katër ndeshjeve në të gjitha garat, por skuadra e pjesës së poshtme të tabelës i ka kthyer në realitet kuqezinjtë.
Milani ishte skuadra më e mirë në këtë ndeshje, duke dominuar në posedim të topit, por sa i përket krijimit të rasteve la shumë për të dëshiruar, ndërsa mysafirët përgjatë 90 minutave nuk regjistruan asnjë goditje në drejtim të portës.
Kuqezinjtë arritën ta gjenin golin në minutat e fundit të takimit me anë të Olivier Giroud, por goli u anulua pas rishikimit nga VAR, kështu për të mos ndryshuar asgjë në rezultat, me ndeshjen që përfundoi 0:0.
Me këtë barazim Milani tani rrezikon vendin e tretë në tabelë, pasi ka 52 pikë, ndërsa Roma me një ndeshje më pak ka 50 pikë, me skuadrën e Jose Mourinos që do të përballet me Torinon gjatë kësaj fundjave.
