Pas tetë ndeshjeve pa humbje, Shqipëria me paraqitje zhgënjyese mposhtet nga Kili - NACIONALE

Pas tetë ndeshjeve pa humbje, Shqipëria me paraqitje zhgënjyese mposhtet nga Kili

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Seria e tetë ndeshjeve radhazi pa humbje e Kombëtares së Shqipërisë është ndërprerë, pasi në miqësoren e sotme ndaj Kilit kanë pësuar humbje 3:0, në një paraqitje zhgënjyese të kuqezinjve.

Të udhëhequrit e trajnerit brazilian Sylvinho nuk dinin për humbje që nga marsi i vitit të kaluar me pesë fitore e tri barazime në këtë periudhë.

Përballja mes Shqipërisë dhe Kilit u zhvillua në Parma të Italisë në stadiumin Ennio Tardini, ku kuqezinjtë zhvilluan një nga paraqitjet më të dobëta në kohët e fundit, duke mos arritur që për asnjë rast të dërgonin goditje brenda kornizës së portës, me portierin kilian, Claudio Bravo që ishte i papunë sonte.

Posedimi i topit ishte e vetmja gjë pothuajse pozitive për Shqipërinë, pasi në këtë aspekt ishin pak më të mirë se kundërshtarët.

Në anën tjetër, Kili, ishte shumë e mirë në konkretizim të rasteve, ku nga katër raste goditje, tre herë shënuan dhe në një rast Thomas Strakosha priti bukur.

Zhvillohej minuta e 20-të e takimit kur Kili hapi serinë e golave të shënuar. Ishte Eduardo Vargas që shënoi me anë të një goditje të fortë, i asistuar nga Davila.

Ky ishte goli i vetëm i pjesës së parë të takimit, ndërsa në 45 minutat e dyta, Kili shënoi edhe dy gola të tjerë deri në përfundim.

Marco Bolados shënoi për 2:0 në minutën e 83-të, me Davilan që sërish ishte në rolin e asistuesit.

Ndërsa për rezultatin përfundimtar shënoi asistuesi i dy golave të parë, Davila, në minutat shtesë, për 3:0.

Kështu Shqipëria pas tetë ndeshjeve radhazi pa humbje, mposhtet nga Kili me tre gola, mbi të gjitha duke zhgënjyer me paraqitjen në fushë.

Për kuqezinjtë kjo nuk është përballja e fundit e marsit, pasi pas tre ditësh luajnë ndaj Suedisë në një miqësore tjetër.

Lajme të ngjashme