Pas Martinellit, Arsenal fokusohet në rinovimin e kontratave të Salibas dhe Sakas
Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta ka konfirmuar se klubi është i fokusuar në rinovimin e kontratave të Bukayo Sakas dhe William Saliba, pasi Gabriel Martinelli firmosi vazhdimin e kontratës.
Të premten u njoftua se braziliani ka nënshkruar kontratë afatgjatë pas disa muajve negociata. 21-vjeçari e vazhdoi për katër vite e gjysmë deri në verën e vitit 2027 me opsion për 12 muaj.
Martinelli është një ndër tre lojtarët e rinj që Arsenal po synon t'i blindojë, derisa tani janë të fokusuar në rinovimin e Sakas dhe Salibas.
"Pjesë e planit padyshim është vazhdimi i kontratave të talentëve tonë më të mëdhenj. Jemi duke provuar ta bëjmë atë. E nisëm mirë me Gabin, me të tjerët do ta kryejmë sapo të arrijmë marrëveshje".
"I shoh të gjithë shumë të lumtur dhe me dëshirë për të vazhduar, por duhet të shohim pritjet e secilit dhe koha është çelësi", deklaroi Arteta.
Arsenal tashmë ka aktivizuar klauzolën e rinovimit të kontratës së Salibas, në mënyrë që të mos e lejojnë të largohet falas në verë.
Francezit iu nevojiten tre vite për të debutuar, por tani është një ndër mbrojtësit më të mirë në Premierligë. Thuhet se përfaqësuesit e tij nuk janë të kënaqur me ofertën e Arsenalit, mirëpo lojtari deklaroi se mund ta nënshkruajë së shpejti rinovimin e kontratës.
"Jam shumë i lumtur këtu. Klubi është në bisedime me agjentin dhe e vetmja gjë që mund të bëj është fokusimi në futboll. Jam shumë i lumtur këtu", theksoi Saliba pas fitores 2:0 ndaj Tottenhamit.
Ndërkohë, Saka ka qenë i padiskutueshëm në krahun e djathtë duke regjistruar shtatë gola dhe shtatë asistime në 19 paraqitje.
Man City dhe Liverpool janë duke vëzhguar situatën e anglezit, por Arsenal e ka bërë prioritet që ta "blindojë" me kontratë afatgjatë.
