Zyrtare: Gabriel Martinelli rinovon me Arsenalin
Sulmuesi Gabriel Martinelli ka nënshkruar kontratë afatgjatë me Arsenalin.
21-vjeçari është në sezonin e katërt në fanellën e "Topçinjve", derisa veçse ka bërë 111 paraqitje për ekipin e parë.
Arsenal përmes një komunikate zyrtare njoftoi se braziliani ka firmosur kontratën që do ta mbajë në "Emirates Stadium" edhe për shumë vite, duke mos treguar saktësisht sa.
"Gabriel Martinelli ka nënshkruar kontratë të re me klubin, duke vazhduar për një kohë të gjatë me ne", shkroi shkurtimisht lideri momental i Premierligës.
Gabi signs on ❤️ pic.twitter.com/mgMIzdt68O
— Arsenal (@Arsenal) February 3, 2023
Tejet i lumtur me rinovimin e kontratës është ndarë edhe trajneri Mikel Arteta, i cili beson se Martinelli do të përmirësohet edhe më shumë.
"Jemi shumë të lumtur që Gabi ka nënshkruar kontratë afatgjatë. Mbështetësit tanë e shohin kualitetin dhe energjinë e tij sa herë që e vesh fanellën dhe është e njëjta gjë në stërvitje, me punën dhe vlerat pozitive të tij".
"Gabi është ende shumë i ri, pra e dimë që mund të bëjë edhe më shumë dhe është mirë që do të jemi në këtë rrugëtim. Jemi të emocionuar që ta përmirësojmë këtë talent dhe të shohim si do të përformojë për Arsenalin në vitet e ardhshme".
Ndërkohë, drejtori sportiv Edu gjithashtu theksoi se ndihen të lumtur me rinovimin e brazilianit.
"Është mirë që Gabi nënshkroi kontratë me ne. Ne duam të ndërtojmë skuadrën në talentë të ri, prandaj është mirë që rinovoi".
"Gabi është vetëm 21 dhe lojtar me personalitet të madh. Ai është pjesë e rëndësishme e planeve për të ardhmen", nënvizoi Edu.
Arsenal xhiron e radhës do ta zhvillojë kundër Evertonit, me saktësisht të shtunën me fillim nga ora 13:30.