Paredes: Juventus skuadër që ëndërroja
Leandro Paredes është zyrtarizuar si lojtar i Juventusit gjatë ditës së djeshme. Ai ishte i pranishëm në "Allianz Arena" në fitoren që skuadra korri me rezultat 2:0 kundër Spezia.
Sot ishte dita kur mesfushori argjentinas u prezantua para shtypit italian, duke dhënë prononcimin e parë si lojtar i Juventusit.
Juventusit iu deshën disa javë që ta gjente një gjuhë të përbashkët me PSG rreth formulës së transferimit të Paredesit.
Pasi negociatat zgjatën me javë të tëra, u përmbush edhe dëshira e vetë lojtarit, për t'u arritur një marrëveshje ku në bazë të saj është huazimi një-vjeçar me të drejtë blerjeje pas një viti, për një vlerë rreth 15 milionë euro, plus 5 milionë euro tjera.
Deklaratat e para të Paredes si lojtar i Juventusit
Paredes u shfaq i hareshëm dhe me humor të mirë gjatë konferencës për shtyp që zhvilloi në ambientet e klubit të Juventusit.
"Jam vërtet i lumtur që gjendem këtu në Juventus. Dëshiroja ta veshja këtë fanellë prej shumë kohësh. Juventus është skuadra e ëndërrave të mia. Gjithmonë dëshiroja të vija këtu. Nuk kam dashur ta humbas këtë mundësi", komentooi ai.
Ai është pyetur edhe sa i përket numrit të fanellës që do ta veshë, e që është numri 32.
"Bëhet fjalë për një numër që më pëlqen shumë. E kam përdorur në Boca, Empoli dhe Roma", potencoi ai.
Tutje, Paredes komentoi edhe raportin që ka me bashkëkombësin e tij, Angel Di Maria, i cili po ashtu ka vendosur që gjatë këtij afati kalimtar veror t'i bashkohet Juventusit.
"Kemi një raport shumë të mirë miqësor prej shumë kohësh. Jo vetëm ne të dy, por edhe familjet tona, përfshirë fëmijët. Të jem edhe një herë në të njëjtën skuadër me të është vërtet e veçantë", tha Paredes.
Krejt në fund mesfushori i Kombëtares së Argjentinës ka folur rreth zhvillimit të tij si lojtar dhe se sa ka hapësirë që të përmirësohet mëtutje.
"Sigurisht që mund të zhvillohem akoma si lojtar. Në futboll çdo ditë mund të mësosh diçka të re. Jam këtu për të vazhduar të fitoj. I di synimet që kemi dhe dua ta ndihmoj skuadrën për t'i arritur ato", përfundoi Paredes.

