Paraqitje fantastike e Ballkanit ndaj Astanës, por Kampioni i Kosovës ndalet me barazim në Kazakistan - NACIONALE

Paraqitje fantastike e Ballkanit ndaj Astanës, por Kampioni i Kosovës ndalet me barazim në Kazakistan

2 vjet më parë

nga Vivianit Gërguri

Kampioni i Kosovës, Ballkani, ka pasur një paraqitje fantastike ndaj Astanës në udhëtim, në kuadër të xhiros së katërt të grupeve në Ligë të Konferencës, por pavarësisht rasteve të shumta të krijuara, rezultati përfundimtar ishte 0:0.

Ballkani e Astana ishin takuar edhe në fund të muajit tetor në Prishtinë, ku skuadra nga Kazakistani kishte fituar me rezultat 2:1, në një nga paraqitjet më të dobëta të ‘Xhebrailave’ në vitet e fundit, por fytyrë krejtësisht tjetër u tregua sot në Astana Arena.

45 minutat e para të ndeshjes i takuan plotësisht Ballkanit, që kontrolloi tempon e lojës, nga ku arriti të krijonte edhe dy raste shënimi, me portierin vendas që mbajti skuadrën e tij në lojë.

‘Xhebrailat’ vazhduan me paraqitje të mirë edhe në pjesën e dytë, me një dominim në posedim të topit, kurse skuadra vendase nuk po dukej fare e rrezikshme.

Rasti më i mirë në ndeshje, padyshim ishte në 10 minutat e fundit, ku pas një vrapimi të gjatë të Nazmi Gripshit në drejtim të zonës, në fund lëshoi një goditje, por sërish hero ishte portieri Josip Condric, që ishte më meritori pse skuadra e tij nuk pësoi gol sot.

Në vazhdim edhe Albin Berisha pati një rast të mirë, pas një rivënie këndore, por sulmuesi nuk e shfrytëzoi siç duhet rastin dhe topi përfundoi lehtësisht te portieri.

Deri në fund gola nuk pati dhe Ballkani mori vetëm një pikë në udhëtim te Astana, me dy skuadrat që kanë nga katër pikë tani në grup.

Ndeshja tjetër e këtij grupi mes Viktoria Plzen e Dinamo Zagreb zhvillohet në 18:45, me skuadrën kroate që gjendet në fund të tabelës me tre pikë, ndërsa vendasit kanë tri fitore në po aq ndeshje.

Lajme të ngjashme