Paraqitje e dinjitetshme nga Kombëtarja e Kosovës ndaj Zvicrës, por rruga për EURO 2024 përfundon këtu
Kombëtarja e Kosovës me barazimin 1:1 me Zvicrën, ka humbur edhe ato gjasat minimale për kualifikim në EURO 2024, ndonëse paraqitja e sotme ishte për t’u duartrokitur në Saint Jakob Park.
Dardanët zhvilluan në përgjithësi një ndeshje të mirë përball një kundërshtari të fortë siç është Zvicra, me lojtarët nga Superliga e Kosovës që treguan paraqitje fantastike në këtë ndeshje.
Pjesa e parë e takimit ishte e dominuar nga Zvicra sa i përket kontrollit të topit, ku arritën të krijonin tri raste shënimi, por dështuan ta gjenin golin.
Në anën tjetër, Kosova pati një rast të mirë, me Elbasan Rashanin, por goditje e mirë e tij me kokë kaloi fare pranë portës.
Me të filluar pjesa e dytë, Kosova u ndëshkua. Reagim jo i mirë në vijën e fundit dhe këtë e shfrytëzoi Ruben Vargas, që me golin e tij e çoi Zvicrën në epërsi 1:0.
Kosova filloi të këndellej dhe po luante më mirë në vazhdimin e ndeshjes, dhe kjo lojë e mirë dha frytet e saj.
Zhvillohej minuta e 82-të kur Mergim Vojvoda asistoi bukur për Muhamet Hysenin, yllin e Superligës së Kosovës, që shënoi gol fantastik për ta barazuar rezultatin në 1:1.
Deri në fund ndryshime në rezultat nuk pati dhe ndeshja përfundoi me barazim.
Kosova kështu humb shpresat për kualifikim, ndërsa Zvicra dhe Rumania sigurojnë vendin në Kampionatin Evropian.

