Paraqitja e jashtëzakonshme e portierit Livakovic që ia fitoi lojën kundër Brazilit – statistikat - NACIONALE

Paraqitja e jashtëzakonshme e portierit Livakovic që ia fitoi lojën kundër Brazilit – statistikat

3 vjet më parë

nga Vivianit Gërguri

Portieri i Dinamo Zagrebit, Dominik Livakovic, është njeriu i momentit te Kombëtarja e Kroacisë, pasi që shkëlqeu edhe në çerekfinale, për ta ndihmuar skuadrën në eliminimin e Brazilit dhe kalimin në gjysmëfinale.

Kjo natë për 27-vjeçarin do të jetë e paharrueshme, pasi jo vetëm që ia solli fitoren e radhës Kroacisë, por theu edhe rekordin për më së shumti pritje gjatë një ndeshje Botërori.

r/soccer - Man of the Match: Dominik Livaković!

Përgjatë 120 minutave lojë, ai priti plot 11 goditje të brazilianëve dhe në vetëm një rast u mposht, nëpërmjet magjisë së Neymarit në fund të pjesës së parë të vazhdimeve.

Përveç pritjeve gjatë tërë ndeshjes, vendimtar ishte edhe në penallti, duke pritur shumë bukur gjuajtjen e parë të brazilianëve, saktësisht Rodrygos, për t’i dhënë kombëtares së tij një forcë më të madhe, teksa ishte i pafat në penalltinë e radhës, kur lexoi anën por Casemiro goditi fuqishëm për ta mposhtur.

Livakovic ishte vendimtar edhe në ndeshjen e 1/8-ës së finales kundër Japonisë, ku gjatë ekzekutimit të penalltive, priti tri goditje të aziatikëve.

Në total, Livakovic çoi në katër numrin e penalltive të pritura në këtë Botëror, duke barazuar bashkëkombësin, Danijel Subasic dhe argjentinasin legjendar, Sergio Goycochea, për më së shumti penallti të pritura në një Kupë të Botës.

Padyshim portieri i Dinamo Zagrebit është portieri më i mirë i këtij turneu deri më tani, dhe në rast të një finaleje të arritur, mund të jetë edhe futbollisti më i mirë i turneut, ku do të ishte vetëm portieri i dytë që fiton një çmim të tillë, pas Oliver Kahn në Botërorin e 2002-ës.

Lajme të ngjashme