Pamje: Vojvoda shënon gol përrallor në miqësoren ndaj Monzas - NACIONALE

Pamje: Vojvoda shënon gol përrallor në miqësoren ndaj Monzas

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Mërgim Vojvoda ka shënuar një gol vërtet të bukur në ndeshjen miqësore ku Torino arriti fitore 4:1 ndaj Monzas. Goli i tij la pa fjalë edhe komentatorët italianë të “Mediaset”.

Përgatitjet e skuadrave italiane për ta rifilluar kampionatin po vazhdojnë. Torino ishte e angazhuar sot në ndeshjen miqësore kundër Monzas, ku shënoi një fitore bindëse.

Megjithatë, ajo që u vu re ishte forma e mirë e mbrojtësit kosovar Mërgim Vojvoda. Ai ishte protagonist në këtë ndeshje, pasi shënoi një gol kryevepër.

Në minutën e 37-të pranoi ishte Radonjic ai që pasoi për Vojvodën. Ky i fundit sado që gjendej në një pozitë të vështirë shënimi, më saktësisht nga këndi i majtë i 16-metërshit, koordinoi pa menduar gjatë një goditje magjepse, e cila përfundoi në këndin e lartë të majtë të portës së gardianit nga ekipi lombardez.

“Gol përrallor. Gol i cilësisë së lartë si për nivelin se si u ndërtua aksioni, ashtu për mënyrën se si u finalizua ai”, ishin fjalët e para të komentatorit italin Enrico Callegari.

Gjatë ditëve të fundit nga shtypi i afërt me Torinon është raportuar se stafi teknik është ndarë i kënaqur me nivelin e përgatitjes fizike që po gëzon Vojvoda. Ata kanë parë një përmirësim domethënës në krahasim me atë që kishte treguar në fazën e parë të kampionatit.

Sezoni aktual për përfaqësuesin kosovar nuk ka nisur aspak në formën më të mirë të mundshme. Shumë lëndime nga maji e deri në shtator, kanë bërë që ai të mos ishte në elementin e tij më të mirë edhe gjatë kohës sa rikthehej të ishte në dispozicion të Juric.

Madje, edhe pozitën e titullarit e humbi gjatë vjeshtës, sepse nuk arriti të bindte. Kriza e formës kapi majën e vet në ndeshjen që Torino zhvilloi në “Olimpico” kundër Romës më 13 nëntor, ku ai u zëvendësua në minutën e 30-të për çështje teknike, pasi në sytë e trajnerit kroat kishte bërë një seri gabimesh të pafalshme.

Sidoqoftë, pavarësisht të gjitha pengesave, ai ia ka dalë që të kontribuojë me 3 asiste në Serie A gjatë këtij sezoni, duke treguar kështu se sa shumë di të jetë produktiv për ekipin e tij.

Vojvoda ka kontratë me klubin torinez deri më 2024. Për momentin nuk ka ndonjë përafrim mes palëve për ta vazhduar bashkëpunimin. Prandaj nuk përjashtohet mundësia që edhe t’i ndajnë rrugët që në verën e ardhshme.

Lajme të ngjashme