Pamje të rralla kur Pele kishte shënuar 8 gola në një ndeshje të vetme
Sot, në moshë 82-vjeçare vdiq legjenda braziliane e futbollit, Pele. Pas një sëmundje të gjatë me kancerin ai la një trashëgimi të madhe në botën e futbollit. Një nga kujtimet që do të ruhen për të do të jetë edhe ndeshja kundër Botafogos, kur kishte shënuar i vetëm 8 gola.
Pele ka lënë gjurmë të madhe në futboll. Ai ka personifikuar një talent të rrallë të këtij sporti. Rekorde të njëpasnjëshme i kishte thyer si futbollist.
Njëri prej momenteve të rralla dhe të paharruara ishte edhe paraqitja që zhvilloi ai më 21 nëntor 1964 me fanellën e Santos, kur shënonte 8 gola në fitoren që Santos arrinte me rezultat 11:0 ndaj Botafogos (PAMJET ME VIDEO).
Këto pamje janë publikuar nga Silvia Herrera , që është vajza e fotografit Antonio Lucio. Më herët kishin qarkulluar vetëm katër fotografi nga kjo ngjarje emblematike.
Karrierë për t’u mbajtur mend
Në tërë karrierën e tij futbollistik 24-vjeçare, ai luajti vetëm për dy skuadra profesioniste, Santos dhe New York Cosmos, që ishte skuadra ku përfundoi karrierën.
Për Santosin u paraqit në 659 ndeshje, sipas statistikave të mbledhura ndër vite, ku kishte shënuar mbi 600 gola, afër një mesatareje prej një gol për ndeshje.
Teksa në Amerikës zhvilloi vetëm 64 ndeshje dhe shënoi 37 gola.
Në karrierën ndërkombëtare la gjurmë të pashlyeshme në futboll. Ai filloi të luajë për Brazilin në moshën 16-vjeçare, ndërsa vetëm pas dy viteve ia sjelli lavdinë kombëtares së tij duke triumfuar në Botërorin e 1958-ës.

Ai u paraqit deri në vitin 1971 dhe akoma mbanë rekordin për golat e shënuar për Seleçaon, duke shënuar 77 gola në 92 ndeshje.
Krahas Botërorit të 1958-ës, ai triumfoi edhe në dy turne tjerë, në Botërorin e 1962 dhe 1970-ës, dhe është i vetmi futbollist që ka fituar tre Kupa të Botës.
Në të gjithë karrierën e tij, përfshirë edhe ndeshjet miqësore, Pele, gjendet në librin e rekordeve Ginis, për numrin e golave të shënuar, ku në 1363 ndeshje ka shënuar 1279 gola apo 0,94 gola për ndeshje.

