Pamje: Sulmuesi spanjoll shënoi gol mahnitës nga gjysma e fushës – la të fjetur portierin
Në ndeshjen e luajtur sot mes Las Palmas dhe Mirandes në La Liga 2, që përfundoi 2:1, protagonist i një goli kryevepër ishte Roberto Lopez, i cili shënoi edhe golin e vetëm të skuadrës mysafire.
Këtë mbrëmje, Lopez shënoi golin e pestë në kategorinë e dytë të futbollit spanjoll, por nuk ishte gol dosido. Në fakt, ishte një gol përrallor. Mbase edhe më i bukuri i karrierës së tij.
Kur po zhvillohej minuta e 50-të e takimit, sulmuesi 22-vjeç spanjoll me të pranuar topin nga bashkëlojtari tjetër sulmues, Pina, me zgjuarsi pa që portieri kundërshtar kishte lënë portën e zbrazur dhe vendosi të godasë nga një distancë e madhe.
Pra, nga qendra e mesfushës ai koordinoi një goditje të saktë, duke paraboluar kështu portierin e skuadrës vendëse. Gol që la të shtangur portierin e Las Palmasit dhe çoi në dëlir të gjithë skuadrën e tij.
Goditja ishte teknikisht aq e saktë, saqë Alvaro Vallesit nuk iu dha asnjë mundësi që ta mënjanonte pësimin e një goli të tillë.
Sido që të jetë, për fatin e mirë të këtij të fundit, futbollistët e Las Palmas arritën të reagojnë në minutat e mbetur të ndeshjes dhe përmbysën rezultatin e ndeshjes, falë dy golave që i shënuan në gjysmë orëshin e fundit të sfidës.
Golat që shënuan Clemente në 63’ dhe Cardona 87’, i dhanë tre pikët e radhës Las Palmasit, që me 45 pikë po udhëheq renditjen tabelore të La Liga 2, ndryshe nga Mirandes që pozitën e 11-të me 30 pikë.

Gjithsesi, edhe pse në fund goli magjepsës ishte i pamjaftueshëm për t’ia sjellë ndonjë pikë ekipit të tij, Lopez mund të mburret me atë që dëshmoi në fushë.