Pamje: Momenti kur Usyk nokautoi Dubois për ta mbrojtur titullin e kampionit të botës
Boksieri ukrainas Oleksandr Usyk arriti ta mbrojë titullin e kampionit të botës duke fituar me nokaut teknik ndaj Daniel DuBois.
Zhvillohej raundi i nëntë kur Usyk i dha një goditje në fytyrë DuBois, me gjyqtarin që e numëroi si nokaut teknik dhe i dha fitoren kampionit të botës.
Menjëherë pas kësaj fitore, Usyk i shpalli ‘luftë’ Tyson Furyt duke treguar se tani është gati për britanikun.
“Boksi është i vështirë, por jam i shkëlqyer. E respektoj kundërshtarin tim, por është boks dhe jo balet. Është sport mbretëror”.
“Unë jam gati nesër, dëgjo – jam gati. Në betejën e radhës dua ta luftoj Tyson Fury. A do Tyson Fury? Aty nuk e kam idenë”.
“Por tani mezi pres t’i shoh fëmijët dhe të kthehem në shtëpi. Ka kohë që stërvitem. Jam paksa i lodhur”, nënvizoi ai.
Disa raunde më parë, Usyk ra në tokë pas një goditje të fuqishme të kundërshtarit në bel, por sipas ukrainasit ai arriti të këndellet shpejtë.
“Ishte një goditje jo e lehtë pasi ishte e ulët dhe vështirë, por u këndella shpejtë dhe arrita ta vazhdojë me të njëjtën tempo”.
Ndërkohë, DuBois beson se ajo goditje nuk ishte e ulët dhe që atij iu vodh fitorja.
“Nuk ishte një goditje e ulët, ai u përkul. Ma vodhën fitoren, por do të rikthehem sërish”, nënvizoi shkurtimisht ai.
Ka pasur spekulime se këtë vit mund të zhvillohet beteja e shumë pritur ndërmjet Usyk dhe Fury, ku do të vendosej një kampion i padiskutueshëm i botës për peshat e rënda.