Pamje: Leart Paqarada e nis kampionatin e ri me gol dhe asist - NACIONALE

Pamje: Leart Paqarada e nis kampionatin e ri me gol dhe asist

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Sot, St. Pauli po luan ndeshjen e saj të parë në edicionin e ri të Bundesliga 2, 2022/'23. Leart Paqarada menjëherë u vu në spikamë, duke shënuar gol dhe asist.

Leart Paqarada e ka nisur furishëm sezonin e ri. Skuadra e tij po përballet ndaj Nürnberg.
Pjesa e parë mbaroi me epërsinë 3:0, ku protagonisti kryesor ishte mbrojtësi kosovar.

Në minutën e 23-të, pas një ekzekutimi të një ndërprerjeje, Paqarada harkoi për mrekulli në brendi të zonës, për ta gjetur të lirë bashkëlojtarin Irvine, i cili shënoi me kokë, për t'i çuar shifrat në 1:0.

St. Pauli pas një fillimi jo shumë të mirë të ndeshjes, filloi ta vë diktatin në fushë, duke qenë skuadra që nisi të dominojë.

Kësisoj, në minutën e 36-të, gjyqtari i ndeshjes akordoi penalti në favor të St. Paulit, pas një kontakti të parregullt që u vu re brenda 16-metërshit.

Përgjegjësinë për ta goditur penaltinë e mori Leart Paqarada. Ai u tregua shumë i saktë nga pika e bardhë, duke goditur në anën e djathtë të portës, për ta lënë të shtangur portierin rival.

Qëndrimi në St. Pauli

Ndonëse ka pasur disa oferta për t'u transferuar gjetiu, Leart Paqarada ka vendosur që të qëndrojë pjesë e St. Paulit tani për tani dhe me shumë gjasë ky vendim do të jetë i palëkundur deri në përfundim të sezonit.

St. Pauli e ka projektuar atë në krye të projektit. Për më tepër, në shenjë nderimi dhe respekti, klubi ia ka dhënë edhe shiritin e kapitenit. Pra, sot Paqarada po luan si kapiten i ekipit, duke i udhëhequr bashkëlojtarët në këtë edicion të ri të kampionatit që nisi këtë fundjavë.

Në çdo variant, fjalë të mira për futbollistin kosovar 27-vjeç pati shprehur edhe drejtori i St. Paulit, Andreas Bornemann, i cili para një jave në një prononcim të shkurtër për Bild theksonte se "Paqarada përmirësohet çdo ditë e më shumë".

Për gazetat gjermane, Paqarada njëzëri llogaritet edhe si mbrojtësi i majtë më i mirë në Bundesliga 2, falë paraqitjeve në rritje që ka pasur gjatë sezoneve të fundit.

Mbrojtësit 27-vjeç kosovar i është bashkuar edhe një bashkëkombas tjetër: Betim Fazliji. Ky i fundit ka kompletuar transferimit te St. Pauli gjatë ditës së djeshme dhe sot është pjesë e ekipit, por ndeshjen e ka nisur nga stoli.

St. Pauli pagoi në arkat e klubit të St. Gallen 700 mijë euro për ta siguruar kartonin e mbrojtësit të Kombëtares së Kosovës.

Sado që Paqarada nuk është grumbulluar me Kosovën nga marsi i vitit të kaluar, ai gjithmonë duhet të llogaritet si një alternativë e vlefshme për "dardanët".

Lajme të ngjashme