Leart Paqarada nuk ndryshon skuadër - mbetet pjesë e St. Paulit
E ardhmja e mbrojtësit kosovar, Leart Paqarada, vazhdon të jetë temë shumë e përfolur në Gjermani, për arsyen se atij i skadon kontrata pas një viti.
Paqarada në sezonin e fundit ishte ndër lojtarët më të dalluar jo vetëm te St. Pauli, por edhe te e gjithë Bundesliga 2. Statistikat e tij impresionuese me 10 asiste dhe 2 gola, në fund nuk i dolën mjaftueshëm skuadrës nga periferia e Hamburgut që ta siguronte ngjitjen në divizionin kryesor gjerman, atë të Bundesliga 1.
Me kontratën e Paqaradës që skadon në qershorin e vitit të ardhshëm, domosdoshmërisht për javë të tëra janë rritur edhe zërat që e lidhin atë me një largim të mundshëm.
Në fakt, St. Paulin e ka kapluar një eksod lojtarësh, të cilët po largohen drejt klubeve tjera. Mirëpo, për Leart Paqaradën nuk parashihet i njëjti fat. Tani për tani, sipas burimeve të përditshmes gjermane Bild, Leart Paqarada mbetet pjesë e St. Paulit.
Madje, mbrojtësi kosovar është edhe në garë për të qenë kapiteni i radhës i skuadrës. Në çdo variant, fjalë të mira për futbollistin kosovar 27-vjeç ka shprehur edhe drejtori i St. Paulit, Andreas Bornemann, i cili në një prononcim të shkurtër për Bild ka theksuar se ai "përmirësohet çdo ditë e më shumë".
St. Pauli u duk që ishte konkurent serioz në garën për titull, deri pak javë para përfundimit të kampionatit. Sidoqoftë, edicioni i ri i Bundesliga 2 nuk e nxjerr atë në mesin e skuadrave pretendente për t'u ngjitur në Bundesliga 1.
Paqarada në horizont nuk ka edhe shumë opsione. Ai duhet të vendosë nëse do që ta rinovojë kontratën, të shkoj deri në përfundim të kontratës për t'u larguar pastaj si lojtar i lirë pas një viti ose të këmbëngulë për t'u larguar drejt një klubi më ambicioz.
Për gazetat gjermane, Paqarada njëherazi llogaritet edhe si mbrojtësi i majtë më i rryer në Bundesliga 2, falë paraqitjeve në rritje që ka pasë gjatë sezoneve të fundit. Një gjë të tillë e dëshmon edhe artikulli i sotëm i publikuar nga e përditshmja më e besueshme gjermane, Bild.
