Pamje: Kampi serb refuzon të përgjigjet për pankartat nacionaliste ndaj Kosovës
Në konferencën për shtyp të mbajtur nga Serbia para ndeshjes së ardhshme që zhvillojnë ndaj Kamerunit në Botëror, lojtarët dhe zyrtarë të kësaj federate kanë refuzuar të flasin për pankartat nacionaliste që ishin shfaqur në ndeshjen ndaj Brazilit.
Flamujt me hartë të Kosovës dhe ngjyra të flamurit serb ishin shpërndarë në tribuna të stadiumit, jashtë saj dhe në dhomat e zhveshjes, përgjatë ndeshjes me Brazilin, ndeshje kjo që u zhvillua në Lusail Stadium.
Për këtë shtëpia e futbollit botëror hapi rast disiplinor dhe shumë shpejt pritet të merret një vendim.
Një gazetar i Associated Press insistoi të marrë një përgjigje në konferencën për shtyp të kampit serb por përgjigje nuk mori, pasi zyrtari i kësaj kombëtare tha se në këtë konferencë do të flasim vetëm për ndeshjet e këtij turneu.
Në pyetjen: “Një flamur i thirrje ksenofobike u pa i varur në dhomën e zhveshjes të kombëtares suaj, a mund të na thoni pse e vendosët atë?”
Përgjigja nga kampi serb ishte: “Na falni por ne nuk përgjigjemi në këtë pyetje, ne do të flasim vetëm për këtë turne, për skuadrën tonë në këtë Botëror.”
Nga AP insistuan në një përgjigje, por kampi serb e injoroi për të vazhduar me pyetjet rreth Botërorit.

