Pamje: Gol i jashtëzakonshëm nga goditja e lirë, Milik ia dhuron tre pikët Juventusit - NACIONALE

Pamje: Gol i jashtëzakonshëm nga goditja e lirë, Milik ia dhuron tre pikët Juventusit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Juventusi e ka nisur me fitore vitin kalendarik 2023. Arkadiusz Milik ishte më meritori, pasi shënoi një gol mahnitës nga goditja e lirë në minutën e parë të lojës shtesë, duke ia mundësuar fitoren 1:0 “Zonjës së Vjetër” në udhëtim ndaj Cremonese.

Skuadra e Max Allegrit ka arritur ta arkëtojë fitoren e shtatë rresht në Serie A. Edhe pse me shumë vuajtje, Juventus ia doli ta regjistrojë fitoren e radhës, falë një goli kryevepër nga sulmuesi Milik.

Përfaqësuesi polak në minutën 90+1’ shënoi një gol vërtet spektakolar. Ai mori përgjegjësinë për ta ekzekutuar një goditje dënimi nga pozita ballore. Edhe pse distanca ishte vërtet e largët, Milik ia doli që me anë të një goditje mahnitëse ta mposhtë portierin e Cremonese.

Gol ky që bëri tifozët e Juventusit dhe bankinën e saj që të çmendeshin nga gëzimi, pasi përkohësisht Juventus i afrohet në vetëm shtatë pikë kreut të tabelës. Duke krahasuar me nisjen tepër të dobët të kampionatit, ky mund të quhet një sukses (VIDEO).

Si shkoi ndeshja?

Në minutën e 16-të ishin vendësit ata që shkundën portën e Juventusit. Sado i gjendur në një pozitë të disfavorshme shënimi, Valeri ia doli që ta dërgojë topin në rrjetë. Mirëpo, një minutë më vonë gjyqtari i ndeshjes në koordinim me VAR-in vendosën që ta anulonin atë (VIDEO).

Një vendim që sigurisht zgjoi dëshpërim e neveri te bankina e vendësve. Katër minuta më vonë Juventus provoi me një goditje me kokë të Soule pas ekzekutimit të këndores, por një pritje e kjashtëzakonshme e Carnesecchi evitoi pësimin e golit.

Me skuadrat që mundoheshin të krijonin një volum loje të pëlqyeshëm, përfundoi në baraspeshë të plotë pjesa e parë, pa u tundur asnjëra portë.

Në pjesën e dytë loja ishte akoma më e gjallë. Dy raste brenda më pak se një minute ishin në të dy anët e portës. Fillimisht në minutën e 78-të ishte Kean ai që pas ekzekutimit të këndores, i gjendur afër shtyllës së dytë pingule goditi, por pritjen e tij në formë të jashtëzakonshme e ndali sërish portieri i Cremoneses.

Cremonese që menjëherë u nis shpejt në kundërsulm, duke zënë në vështirësi Juventusin. Valeri përballë portierin polak Szczesny kishte një mundësi të artë shënimi, por nuk u tregua mjaftueshëm efikas, duke bërë që portieri mysafir ta priste goditjen.

Kështu që, u nevojit një gol i magjishëm nga Milik për ta zhbllokuar këtë ndeshje, duke u dhuruar shumë buzëqeshje e gëzim tifozëve juventinë. Fitorja e katërt rresht si mysafir dhe e shtata rresht në kampionat.

Me këtë fitore Juventus ngjitët në kuotën e 34 pikëve, duke përforcuar edhe më shumë pozitën e tretë tabelore. Ndërsa për Cremonese vijon kriza e rëndë, pasi renditët në pozitën e parafundit me 7 pikë të arkëtuara.

Nën zë Juventusi dhe tifozët e vet shpresojnë që të ngushtohet akoma më shumë hendeku i pikëve me kreun e tabelës, për të synuar kështu një rikthesë spektakolare në krye të saj.

Lajme të ngjashme