Pamje: Ermal Krasniqi lë gjurmët e para, debuton me gol te Cluj - NACIONALE

Pamje: Ermal Krasniqi lë gjurmët e para, debuton me gol te Cluj

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ermal Krasniqi ka arritur të shënojë golin e parë për Cluj, pasi u transferua në këtë afat kalimtar të janarit. Gol ky që u shënua në një ndeshje miqësore që zhvilloi skuadra rumune.

Sulmuesi 24-vjeç kosovar, Ermal Krasniqi, e ka nisur mbarë aventurën e tij te Cluj. Ish-futbollisti i Ballkanti, ka arritur të lërë gjurmën e parë me skuadrën rumune, vetëm pesë ditë pasi zyrtarizoi atë si lojtarin e ri të saj.

Ai sot shënoi golin e tij të parë me ekipin e tij të ri rumun. Në ndeshjen përgatitore dimërore kundër Seleccion AFE, Krasniqi në minutën e 86-të pranoi për mrekulli topin brenda 16-metërshit dhe me një gjysmë kthesë koordinoi një goditje të saktë, që përfundoi në rrjetë për 3:0.

Rezultat ky me të cilin përfundoi edhe i gjithë takimi miqësor në fjalë. Kampionati rumun do të rikthehet më 18 shkurt. Ndërkaq, pak ditë më herët kjo skuadër do të jetë e angazhuar në Ligën e Konferencës, kur do të luajë ndaj Lazios.

Kujtojmë se Cluj ka përfunduar pjesën vjeshtore të kampionatit rumun në pozitën e dytë tabelore, me një pikë mbrapa Farul Constata.

Cluj pagoi kartonin e Krasniqit për një shifër rreth 300 mijë euro. Ballkani u shfaq i kënaqur me ofertën dhe vendosi që të privohet nga shërbimet e tij

Pak ditë më herët Gazeta Nacionale kontaktoi me drejtorin sportiv të Ballkanit, Nderim Nexhipi, i cili tregoi më shumë rreth detajeve të transferimit.

"Patjetër kanë qenë negociata të gjata, kanë filluar diku para dy javëve dhe besoj që me nënshkrimin e kontratës ndërmjet Ballkanit dhe Clujit është bërë një hap shumë i mirë edhe sa i përket futbollit në Kosovë edhe klubit tonë dhe normal ja kemi plotësuar dëshirën Ermalit, i cili dëshironte të lëvizte në një kampionat më të mirë siç është ai rumun".

Ai thotë se marrëveshja e arritur është e jashtëzakonshme, pasi Krasniqi do të bëhej agjent i lirë në verë duke konfirmuar shitjen për 300 mijë euro dhe një 15 përqindësh fitim nëse lojtarit shitet në të ardhmen e afërt.

"Ishte e vështirë sepse kontrata i skadonte verës dhe rumunët donin ta merrnin që tani në mënyrë që ai të kishte kohë të ambientohej sa më shpejtë. Ne duke pasur parasysh se ai verës dilte lojtar i mirë kemi bërë marrëveshje të jashtëzakonshme. Po e konfirmoj shumën prej 300 mijë eurove dhe 15 për qind të kartonit. Besoj që është një shumë mjaft e mirë, duke theksuar edhe njëherë se e dinim që Ermali do të lëvizte si lojtar i lirë".

Lajme të ngjashme