“Pak turpëruese”, Shaqiri nuk e kupton pse po debatohet vazhdimisht për rolin e tij
Ylli i Chicago Fire Xherdan Shaqiri thotë se nuk e kupton pse po debatohet për rolin e tij në skuadër, duke e quajtur pak turpëruese këtë temë.
Ne mediat zvicerane ka pasur raportime të njëpasnjëshme, që Shaqiri s’është më titullar te kombëtarja helvetike dhe që për Murat Yakinin dy lojtarë janë para futbollistit me prejardhje nga Kosova.
I pyetur për këtë debat, në konferencë për shtyp Shaqa tha se është turpëruese dhe nuk i intereson fare se çfarë roli luan.
“Është pak turpëruese. Secili lojtar që vjen te kombëtarja vjen për të luajtur. Secili prej nesh mund të luajë 90 minuta”.
“Trajneri vendos si luajmë taktikisht, ai mund të vendos vetëm 11 lojtarë. Nuk ka marrëveshje, por ndonjëherë shkëmbejmë ide. Por, nëse vij nga stoli do ta jap më të mirën. Dua edhe t’i ndihmoj të rinjtë në skuadër, të gjithë lojtarët duhet të pranojnë vendimet e trajnerit përfshirë edhe vetën”.
“Nuk po vij te kombëtarja për të shkuar në pushime. Duam të arrijmë gjëra të mira, pavarësisht rolit që e luaj”, deklaroi fillimisht 32-vjeçari.
Ndër të tjera, Shaqa komentoi pak edhe pjesëmarrjen e tij të shtatë në një turne të rëndësishëm, si dhe kishte disa fjalë edhe për Granit Xhakën.
“Turneu i shtatë? Do të luaj derisa në një mëngjes e kuptoj se nuk po e ndjej më. Por, dua vërtetë të luaj. Është turneu i shtatë, jam duke e shijuar shumë”.
“Granit Xhaka? Shpresoj që të vazhdoj me formën që ka te skuadra. Leverkuseni kishte sezon fantastik, isha shumë i lumtur që më në fund e fitoi një titull të ligës. Më kujtohet titulli im i parë me Bayernin, ishte i jashtëzakonshëm. Tifozët janë të çmendur për futbollin. Graniti erdhi mirë, me vetëbesim të madh, por është skuadër tjetër këtu, presioni është edhe më shumë për të”.
“Zvicra më e mirë ndonjëherë? Futbolli po përparon edhe futbolli zviceran gjithashtu. Shumë lojtarë luajnë në klube të mëdha dhe fitojnë eksperiencë dhe kjo sjell shumë në kombëtare. Nuk mund të themi nëse kemi ekipin më të mirë në histori. Gjithmonë jemi përmirësuar në turne. Në vitin 2021 ishim afër të arrinim deri në gjysmëfinale. Shpresoj që Zvicra ta fitojë trofeun në ndonjë pikë”.