Pak javë pasi u pensionua nga futbolli, Gareth Bale debuton në golf - NACIONALE

Pak javë pasi u pensionua nga futbolli, Gareth Bale debuton në golf

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ish-ylli i Real Madridit, Gareth Bale, ka njoftuar se do të luajë në një turne të golfit në PGA Tour, vetëm pak javë pasi u pensionua nga futbolli profesional.

Bale tregoi se do të garojë në turneun AT&T Pebble Beach Pro-Am në Kaliforni të Shteteve të Bashkuara në shkurt.

33-vjeçari u pensionua nga futbolli në fillim të këtij muaji si futbollisti me më së shumti paraqitje dhe si golashënuesi më i mirë në historinë e Kombëtares së Uellsit.

Jam i lumtur t’ju njoftoj se do të luaj në AT&T Pebble Beach Pro-Am në fillim të muajit të ardhshëm! Forca”, shkroi Bale në Instagram.

Bale është pesë herë fitues i Ligës së Kampionëve me Real Madridin, por marrëdhëniet e tij me gjigantin spanjoll u prishën kur ai u fotografua afër një baneri në të cilin shkruhej: “Uellsi. Golfi. Real Madridi. Sipas këtij rendi”, gjatë në ndeshjeje me ekipin e vet kombëtar në vitin 2019.

Në turneun e golfit Pebble Beach do të marrin pjesë 156 lojtarë amatorë, po aq sa lojtarë profesionistë të golfit, përfshirë kampionin e US Open Matt Fitzpatrick, numrin pesë të botës Patrick Cantlay dhe tri herë fituesin e grand slameve Jordan Spieth.

Karriera e yllit të lindur në Cardiff e çoi atë nga Southampton te Tottenham Hotspur dhe Real Madrid para periudhës së tij të fundit që kaloi në MLS në Los Angeles, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Bale, i cili ka bërë 111 paraqitje për kombëtaren e tij, më së shumti në histori të Uellsit, u pensionua më 9 janar.

"Ndihem tepër me fat që e realizova ëndrrën time për të luajtur sportin që dua," kishte thënë Bale.

Ai ishte lojtari më i mirë i vendit të tij dhe udhëhoqi kombëtaren e tij drejt kualifikimit në Kampionatin Evropian 2016 dhe 2020, përpara se të mbyllte karrierën e tij në Kupën e Parë Botërore të Uellsit që nga viti 1958 në Katar 2022.

"Futbolli më ka dhënë me të vërtetë disa nga momentet më të mira të jetës sime," shtoi Bale.

"Sukseset më të mëdha të mundshme gjatë 17 sezoneve, kjo do të jetë e pamundur të ribëhet përsëri, pavarësisht se çfarë kapitulli tjetër ka rezervuar jeta për mua."

Lajme të ngjashme