Oscar mes lotëve i thotë lamtumirë Kinës pasi fitoi mbi 170 milionë në shtatë vite
Ish ylli i Chelseas Oscar i emocionuar i ka dhënë fund qëndrimit në Kinë pasi kontrata luksoze me Shanghai Port skadoi.
Braziliani ishte në grupin e lojtarëve që iu bashkuan Superligës Kineze në vitin 2017, me skuadrën kineze që pagoi 60 milionë funte te Chelsea, ndërsa ai u pagua rreth 400 mijë funte për javë.
33-vjeçari gjatë kësaj kohe ka fituar rreth 175 milionë funte në paga, duke qëndruar afërsisht tetë vite. Përndryshe, ka zhvilluar 248 paraqitje, duke kontribuar me 77 gola e 141 asistime.
Padyshim paga e lartë e bindi Oscarin për të kaluar në Kinë, njësoi si brazilianët e tjerë si Hulk, Robinho, Ramires dhe Paulinho, por ai qëndroi më së gjati.
Me kontratën që po i skadon, Oscar e bëri të qartë se do të largohet për të qëndruar pranë familjes.
“E dua Shanghain, por është thjesht shumë larg familjes. Nuk mund të qëndroj këtu përgjithmonë. Nëna ime po plaket, motrat e mia kanë fëmijë. Dua të qëndroj pranë familjes”.
“Ku do që të shkoj nuk do të jetë si këtu. Kualiteti i jetës që ka Kina është unike në botë. Nuk kam parë një gjë të tillë në Evropë. Fëmijët e mi shkojnë në shtëpi me autobus dhe rikthehen pa pasur frikë për siguri. Mund të dalim në ora 2 ose 3 të mëngjesit dhe asgjë nuk do të ndodhë”.
“Nuk ka as drogë këtu. Është diçka nga një tjetër botë. Vetëm ata që janë këtu, jetojnë këtu e dinë se si ndihen”.