Olivier Giroud shkëlqen me het-trik, AC Milan ‘demolon’ Sampdorian
AC Milan ka shënuar fitore të thellë në shtëpi ndaj Sampdorias, për të mbetur në garë për top katërshe.
“Rossonerët” pas disa humbjeve edhe eliminimit nga Liga e Kampionëve, shpartalluan Sampdorian me rezultat 5:1, në kuadër të xhiros së 36-të në Serie A.
Pas vetëm nëntë minutave lojë, Rafael Leao kaloi Milanin në epërsi me një gol të bukur.
Sampdoria arriti të këndellet duke barazuar rezultatin me anë të Fabio Quagliarella që realizoi nga afërsia (20’).
Mirëpo, vetëm tre minuta më vonë Brahim Diaz dhuroi asistimin e dytë, këtë herë me Olivier Giroud që shënoi me kokë (23’).
Francezi ishte në top formë duke shënuar edhe pas gjashtë minutave këtë herë nga pika e bardhë (29’).
Milan dominoi edhe në pjesën e dytë me Diaz që shënoi golin e katërt në portën e zbrazur pas asistimit të Tonalit (63’).
Kurse fitoren e vulosi Giroud me një gol nga afërsia dhe njëkohësisht kompletoi het-trikun (68’).
Milan zë pozitën e pestë me 64 pikë, një më pak se Lazio që renditet në pozitën e katërt që të shpie në Ligën e Kampionëve, derisa Sampdoria ka rënë në Serie B duke qenë e fundit me 18 pikë.