Odeegard shënon dy herë për fitoren e Arsenalit ndaj Wolves, topçinjtë kryesojnë të vetëm Premierligën
Arsenali ka arritur ta fitojë një ndeshje mjaft të vështirë, atë ndaj Wolverhampton Wanderers, me rezultat 2:0, me dy golat e shënuar në pjesën e dytë dhe që mbajnë firmën e një lojtari, Martin Odegaard. Topçinjtë me këtë fitore shkëputen në garën për titull, duke krijuar epërsi prej pesë pikëve ndaj vendit të dytë.
Ndeshja e zhvilluar në Molineux Stadium prodhoi shumë pak raste në drejtim të portierëve, teksa vlen të cekët se deri te goli i parë i minutës së 55-të, asnjë goditje nuk kishte shkuar në drejtim të golave në asnjërën anë.
Arsenali ishte më e mirë në kontroll të topit ndërsa Wolves kryesisht tentonte nëpërmjet kundërsulmeve, që gjatë pjesës së parë krijoi dy raste.
Ishte sulmuesi portugez, Goncalo Guedes, ai që i hapi telashe mbi kokë mbrojtëse të skuadrës nga Londra, duke tentuar dy herë me goditje gjatë pjesës së parë, por të dyja shkuan lart mbi portë, ndërsa Arsenali shënoi një herë gjatë 45 minutave të para, por goli i shënuar nga Gabriel Jesus u anulua nga gjyqtari në fushë për shkak të pozitës jashtë loje.
Çka vlen të cekët për intervalin e parë është se Granit Xhaka, një nga lojtarët më në formë të Arsenalit, u largua nga fusha vetëm pas 16 minutave, pas disa shqetësimeve që ndjeu, duke u zëvendësuar me Vieiran.
Pjesa e dytë përcaktoi fituesin. Topçinjtë u treguan më konkret në rastet e krijuara dhe arritën të marrin pikët e plota.
Një aksion i nisur nga Gabriel Jesus, që lëshoi një top për Fabio Vieiran në zonën e rreptësisë, i cili shumë bukur gjeti Martin Odeegard në vijën e golit, për të shënuar lehtësisht për 1:0 në minutën e 55-të.
20 minuta më pas erdhi edhe goli i dytë, sërish ishte Odegaard me golin e tij të dytë personal e të dytin për Arsenalin që dha epilogun final të takimit, me fitore të pastër 2:0.
Kjo fitore çon në plus pesë pikë Arsenalin mbi Manchester Cityn e vendit të dytë dhe shkojnë qetësisht në pushim, për t'u kthyer pas një muaji për të marshuar për titullin e parë pas 18 viteve në elitën e futbollit anglez.

