“Nuk shkojmë me flamur të bardhë në Varshavë”, Drita e gatshme edhe për gjigantin polak
Drita pas fitores ndaj Audas, është gati për të bërë befasinë edhe kundër Legia Varshavës, kështu deklaruan trajneri Zekirija Ramadani e mesfushori Albert Dabiqaj.
“Intelektualët” shënuan një fitore me rikthim ndaj klubit të Letonisë, për të arritur siguruar play-offin e Ligës së Konferencës, që ishte hera e parë në histori të klubit.
Pas fitores, trajneri Ramadani tha se e kanë merituar plotësisht dhe tani do të synojnë ndonjë befasi ndaj gjigantit polak.
“Dhamë maksimumin për 120 minuta. Vendosi shpirti luftarak, disiplina, lufta sportive, analiza e gjithë stafit tonë nga ndeshja e kaluar. Mendoj se me plot meritë u kualifikuam”
“Përball Legias nuk jemi aspak favorit, por nuk do të shkojmë më flamur të bardhë”, nënvizoi ai për “RTK”.
Ndërkohë, Dabiqaj që ishte heroi i mbrëmjes, duke realizuar një gol fantastik me kokë tha se me punë mund t’ia dalin edhe ndaj Legias.
“Jam shumë i lumtur me golin dhe fitoren e skuadrës sime. Drita gjithnjë ka pasur paraqitje të mirë në Evropë, por ky vit është edhe më i mirë”.
“Kundërshtari i radhës është i vështirë, por me mund dhe sakrificë mund të ia dalim”.
Përballja e parë zhvillohet në Varshavë më 22 gusht, kurse në “Fadil Vokrri” më 29 gusht, Drita do ta tentojë kualifikimin.