Nuk bindi në ndeshjet e fundit, raportohet se Rashica do të lihet në bankë rezervë
Për Milot Rashicën viti i ri kalendarik nuk ka filluar në formën e duhur. Fakti që nuk po arrin të zhbllokohet me shënim golash në kampionat po ia ndërlikon sezonin te Galatasaray. Sot, shtypi turk raporton se ai do të lihet në bankë rezervë kundër Giresunspor.
Tre ndeshjet e fundit Galatasaray i fitoi, por pa shkëlqimin e sulmuesit kosovar, Milot Rashica. Kritikat për të filluan që prej ndeshjes derbi kundër Fenerbahçes, të cilën Galatasaray e fitoi me rezultat 3:0.
26-vjeçari kosovar nuk po ia del të jetë shpërthyes njësoj siç ishte nga tetori deri para pauzës të Kupës së Botës, kur ndihmoi ekipin e tij në dy fazat e lojës, qoftë në atë sulmuese apo në atë mbrojtëse, për ta konsoliduar më pas edhe vendin në përbërjen bazë.
Si rezultat i paraqitjeve të zbehta që zhvilloi gjatë javëve të fundit, gazeta turke “Fanatik” raporton se ai do të lihet në bankinë për ndeshjen e sotme në udhëtim kundër Giresunspor me fillim në ora 17:00.

Vendin e tij pritet ta zë Baris Alper Yilmas, i cili kështu do të zhvendoset në krahun e djathtë të sulmit të skuadrës nga Stambolli. Rashica ishte lënë në stol edhe më 13 janar, në ndeshjen kundër Hatayspor, që u fitua me rezultat 4:0. Nëse një gjë e tillë përsëritet edhe sot, kjo do të ishte hera e dytë brenda dy javëve që humb pozitën e startuesit.
Një e metë e përfaqësuesit kosovar në këtë kampionat është mungesa e shënimit të golit. Kontributi i tij në trembëdhjetë (13) paraqitje në nivel statistikor është mjaftuar me tri (3) asiste.
Rashica është i huazuar te Galatasaray deri në fund të këtij sezoni. Kartonin e tij vijon ta ketë në pronësi Norwich. Tek pas përfundimit të kontratës me skuadrën turke do të shihet nëse ka gatishmëri kjo e fundit që ta blejë kartonin e tij.
