Njihuni me klubin amator me më shumë ndjekës së klubet e Premierligës dhe me pronarë më të rinj se vetë lojtarët - NACIONALE

Njihuni me klubin amator me më shumë ndjekës së klubet e Premierligës dhe me pronarë më të rinj se vetë lojtarët

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Numri mesatar i tifozëve të tyre në stadium sezonin e kaluar ishte 296, prapëseprapë ata kanë më shumë ndjekës në TikTok se gjashtë klube t Premierligës dhe pronarët e tyre janë më të rinj se shumica e lojtarëve që i kanë blerë.

Mirë se vini në Walton & Hersham, në “shtëpinë e pronarëve më të rinj të një klubi futbolli në botë”.

Shokët e shkollës Jack Newton, Calogero Scannella, Sartej Tucker, Thomas Bradbury, Ben Madelin, Stephan Karidi dhe Reme Edetanlen ishin vetëm 19-vjeçarë kur i bënë bashkë të hollat nga bursat e tyre studentore për ta blerë klubin amator në Surrey të Anglisë në vitin 2019.

Tri vite dhe dy promovime më vonë, ata janë duke fituar nga rritja e shpejtë e pranisë së tyre në rrjetet sociale, e cila ka rezultuar në shitjen e fanellave “në vendet për të cilat nuk keni dëgjuar kurrë”.

Derisa Walton & Hersham po përgatiten për fillimin e sezonit të ri 2022/23 në shtëpi kundër Kenningtonit në rrethin ekstra preliminar të FA Cup të shtunën, bashkëpronarët e rinj të klubit flasin për planet e tyre për ta ndryshuar skenën e futbollit amator.

“Në fillim, ne menduam se blerja e një klubi ishte ide plotësisht e çmendur. Si mund të mendonte dikush se kjo do të funksiononte?” tha Tucker, drejtor për marrëdhënie me media në Walton & Hersham.

Ndërsa kryetari i klubit Newton shtoi: “Është shumë e lehtë ta drejtosh klubin me miq, sepse e di se mund ta thuash atë që e ke në mendje menjëherë, gjë që nuk do të mundë ta bëje në kapacitet profesional”.

Pasi siguruan promovimin në kategorinë e tetë të futbollit anglez duke i fituar 91 pikë nga 38 ndeshje sezonin e kaluar, Walton & Hersham nuk mund të akuzohet si klub i kafeneve.

Prapëseprapë, në vitin 2019, një kafene në Kingston u bë vendtakimi i rregullt i shtatë miqve për të biseduar për blerjen e klubit 77-vjeçar.

Walton & Hersham e kishte mposhtur Brightonin në sezonin 1973/74 në FA Cup dhe dikur e kishte për president fituesin e Topitë të Artë, Stanley Matthews, ndërsa sulmuesi Nathan Ellingon kishte luajtur për të para se t’i bashkohej West Bromit në Premierligë.

Kah viti 2019, ky klub ishte buzë rënies në kategorinë e 10-të të futbollit anglez dhe pronari i kamotshëm Alan Smith po kërkonte blerës.

“Ideja ishte e Calogeros. Ai kishte shkuar për t’i parë ndeshjet e klubit dhe kishte pasur mundësi të bisedonte me pronarin. Ai tha se ata po donin ta shisnin klubin”, tha Newton.

Shtatë miqtë i bënë gati dokumentet dhe ia prezantuan Smithit.

“Ne madje treguam edhe çfarë notash kishim marrë në shkollë. Madje nuk kishim pare pothuajse fare. Ne ishim studentë 19-vjeçarë që i bëmë bashkë paratë nga kreditë studentore për ta blerë klubin.

Klub me 750 mijë ndjekës në TikTok

Walton & Hersham nuk ka gëzuar sukses vetëm në fushë së fundmi, por edhe në rrjetet sociale.

Pronarët e rinj i kanë përdorur aftësitë e tyre për rrjetet sociale për ta ndërtuar një bazë me përkrahës për të cilën shumë klube të Premierligës do të kishin qenë krenare.

Walton & Hersham ka plot 753.700 ndjekës në TikTok, më shumë se Nottingham Forest (210,200), Fulham (272,100), Brighton & Hove Albion (344,500), Southampton (440,700), Crystal Palace (459,100) dhe Bournemouth (585,700).

Lajme të ngjashme