Nick Kyrgiosit ia vjedhin veturën Tesla duke ia kërcënuar me armë nënën, ai e gjen përmes aplikacionit
Ylli i tenisit Nick Kyrgios i ka ndihmuar policisë duke e përdorur një aplikacion telefoni për ta gjurmuar nga larg veturën e tij Tesla, të cilën ia kishin vjedhur nënës së tij nën kërcënimin e armës të hënën.
Kyrgios ishte në shtëpinë e familjes së vet në Canberra të Australisë rreth orës 8:30 në mëngjes kur një burrë me maskë i veshur me rroba të zeza i trokiti në derë duke e përshkruar veten si “Chris”.
Nëna e Kyrgiosit e hapi derën dhe burri i maskuar ia drejtoi armën e gjatë të zjarrit, sipas dokumenteve të gjykatës.
Raportohet se hajni i kishte kërkuar asaj t’ia jepte çelësat e veturës Tesla të Kyrgiosit, e cila ishte e parkuar në trotuar pranë shtëpisë.
Pasi ia dha çelësat e veturës, hajni e nxori jashtë nënën e tenistit nën kërcënimin e armës. Ai i kishte kërkuar asaj ta mësonte se si duhej të përdorej Tesla, sipas policisë.
“Ajo u shoqërua jashtë drejt Teslës nën kërcënimin e armës, dhe e udhëzoi të pandehurin deri në ulësen e shoferit të veturës. Në këtë çast, ajo ndjeu se kishte mundësi derisa arma nuk ishte e drejtuar kah ajo, të kthehej brenda në shtëpi me vrap dhe të kërkojë ndihmë nga të tjerët në shtëpi”, ka thënë policia.

Kyrgios e përdori aplikacionin e Teslës në telefonin e vet mobil për ta përcjellë lëvizjen e veturës, duke i dhënë policisë informacione për vendndodhjen e veturës. Ai po ashtu e kufizoi shpejtësinë e veturës në vetëm 80km/h.
Kjo ia mundësoi policisë ta gjejnë veturën 16 minuta më vonë. Policët iu afruan Teslës në një rrugë periferike me armët në dorë, por hajni kishte ikur.
Ata vazhduan ta ndjekin Teslën nëpër kryeqytetin australian, duke kaluar edhe në traken e kundërtën kohë pas kohe dhe duke arritur shpejtësinë 90km/h në një zonë shpejtësie 50km/h gjatë ndjekjes.
Ata e ndaluan ndjekjen në një zonë shkolle, duke e cilësuar tepër të rrezikshme.
Kyrgios vazhdoi ta vëzhgojë lëvizjen e Teslës gjatë ndjekjes.
Aplikacioni tregoi se vetura ishte ndalur në Ainslie, në periferi të veri të kryeqytetit australian. Policia e bllokoi zonën dhe e rrethoi veturën duke mos e lejuar hajnin të ikë.
Ai i kishte rezistuar arrestimit dhe përdori elektroshok ndaj tij, thotë policia. Ai u dërgua në spital, pastaj në stacion policor ku iu ngrit aktakuzë për vjedhje të rëndë, vozitjen e veturës pa lejen e pronarit, mosrespektimi i urdhëresës për ndalim dhe rezistim të arrestimit.
Nëna e Kyrgiosit tha se frikësohej se ai do të kthehej dhe do ta hapte një vrimë të madhe në derën e saj me armë zjarri.
