Nick Kyrgios përballet me akuzën për sulm ndaj ish-të dashurës në Australi - NACIONALE

Nick Kyrgios përballet me akuzën për sulm ndaj ish-të dashurës në Australi

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Tenisti i njohur australian, Nick Kyrgios, do të paraqitet në gjykatë pas një muaji pasi që po akuzohet për sulm ndaj ish-të dashurës së tij në fund të vitit të kaluar.

27-vjeçari, i cili ka arritur në çerekfinale të Wimbledon dhe ka shanse të mira ta arrijë gjysmëfinalen sot, do të paraqitet në gjykatën e Kanberrës në muajin gusht.

Policia e kryeqytetit australian e konfirmoi se Kyrgios është thirrur nga gjykata për sulm ndaj ish-të dashurës. Sulmi në fjalë sipas policisë ka ndodhur në Kanberra në dhjetorin e vitit të kaluar.

“Policia e Kanberrës mund ta konfirmojë se një burrë nga Watson i moshës 27-vjeçare do të përballet me akuzat për një sulm ndaj një gruaje në gjykatën e Kanberrës më 2 gusht. Rasti në fjalë ka ndodhur në dhjetor 2021.”

Sipas raportimeve të Canberra Times, Nick Kyrgios ka rrëmbyer ish-partneren e tij, ku kjo e fundit e ka paraqitur rastin pastaj.

Maksimumi i dënimit që mund të vuash në Australi për këtë rast është dënimi me burg dy vite.

Avokati i Kyrgios nga Gjykata e lartë, Jason Moffett, ka konfirmuar raportimet e mediave dhe ka thënë se klienti i tij është në dijeni për pretendimet e palës tjetër.

“Kjo është një çështje e brendshme e lidhjes së tyre, natyra e akuzës është e ashpër dhe Kyrgios e ka marrë shumë seriozisht këtë akuzë. Duke qenë se kjo çështje është në gjykatë tani, nuk kemi çfarë të shtojmë në këtë fazë, por që unë dhe klienti im do të reagojmë në kohën e duhur.”

Avokati personal i Kyrgios, Pierre Johannessen, ka lëshuar një deklaratë ku thuhet: “Në këtë kohë, akuzat nuk konsiderohen fakte nga gjykata, dhe z.Kyrgios nuk mund të konsiderohet si i fajshëm deri në paraqitjen e parë në gjykatë.”

“Deri në momentin kur prokuroria do të fillojë t’i paraqes provat dhe dënimi të caktohet nuk mund askush të gjykohet si fajtor, sidomos për një rast të tillë kur akuzat janë vetëm në letër dhe nuk janë konfirmuar as nga prokurori e as nga vet Kyrgios”, theksoi tutje avokati mbrojtës.

Gjatë ushtrimeve që Nick po i mban në Wimbledon para ndeshjeve, ai është pyetur rreth këtyre pretendimeve, ku australiani tha: “Po ndjehem sikur jam në ‘Last Dance’.”

‘Last Dance’ është një dokumentar në Netflix, ku kronologjikisht tregon për shkëlqimin e një nga basketbollistëve më të mirë në histori, Michael Jordan.

Kyrgios tani është në një lidhje me influencerën Costeen Hatzi, e cila iu bashkua atij në turneun më të vjetër të tenisit në Wimbledon. Çifti, për të cilin po flitet se do ta kurorëzojnë shumë shpejtë lidhjen tyre, janë parë duke postuar fotografi të njëpasnjëshme në Instagram duke treguar lidhjen e fortë mes tyre.

Numri 40-të i botës momentalisht në ranglistën ATP do të ndeshet me kilianin Cristian Garin sot për një vend në gjysmëfinale.

Orari për çerekfinalet u publikua dy orë pasi lajmi për sulmin e dyshuar të Kyrgios mori jehon të gjerë në media, me ç’ rast reagoi zëdhënësi i All England Club i cili tha:

“Ne jemi në dijeni për rastin në fjalë dhe për procedurat ligjore ndaj Nick Kyrgios në Australi. Ato procedura janë duke u ndjekur kështu që ne nuk kemi koment për këtë çështje. Ne jemi në kontakt me Nick dhe ekipin e tij, ai do të luaj në ndeshjen çerekfinale siç është planifikuar.”

Lajme të ngjashme