Wimbledoni ua ndalon pjesëmarrjen tenistëve rusë dhe bjellorusë - NACIONALE

Wimbledoni ua ndalon pjesëmarrjen tenistëve rusë dhe bjellorusë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Tenistët rusë dhe bjellorusë nuk do të lejohen të luajnë në Wimbledon këtë vit, për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Numri dy i botës në tenisin e burrave, Daniil Medvedev nga Rusia dhe numri katër i botës në tenisin e grave, Aryna Sabalenka nga Bjellorusia, janë dy tenistët e renditur më së larti që janë prekur nga ky vendim.

Lojtarët nga këto dy vende janë lejuar të garojnë në garat e tenisit por jo nën flamujt e tyre kombëtarë.

Wimbledoni, i cili njihet si turneu më prestigjioz grand slam në botë, do të zhvillohet nga 27 qershori deri më 10 korrik.

Mediat britanike raportojnë se All England Lawn Tennis Club, organizatori i turneut, do ta bëjë zyrtar njoftimin sot më vonë.

Sabalenka e arriti gjysmëfinalen e Wimbledonit vitin e kaluar, derisa Medvedevi rrethin e katërt.

Numri 15 i botës rusja Anastasia Pavlyuchenkova – e cila në fillim të këtij viti bëri thirrje që lufta në Ukrainë të ndalet – dhe numri 18 i botës Victoria Azarenka e Bjellorusisë, nuk do të lejohen të marrin pjesë po ashtu.

Rusi tjetër Andrey Rublev është i teti në botë në renditjen e tenisit të burrave, ndërsa bashkatdhetari i tij Karen Khachanov i 26-ti.

Të gjithë tenistët rusë dhe bjellorusë do të jenë në gjendje të garojnë në grand slamin e tretë të këtij viti, French Open, i cili nis në maj.

AELTC-ja u konsultua me qeverinë britanike në prill se a t’i lejojë apo jo lojtarët rusë dhe bjellorusë për të garuar në turneun e sivjetmë të Wimbledonit.

Ministri i Sportit i Britanisë, Nigel Huddleston, kishte thënë kohë më parë: “Asnjeri që e valëvit flamurin rus nuk duhet të lejohet të luajë në Wimbledon”.

Ish-numri 13 në botë nga Ukraina, Alexandr Dolgopolov, e falënderoi Wimbledonin për, siç tha, ngritjen në skenë për t'i dhënë botës shembull.

“Unë besoj se Rusia duhet të izolohet në çdo mënyrë të mundshme dhe njerëzit e Rusisë duhet ta zgjidhin këtë problem”, tha Dolgopolov.

Shoqata e Tenisit të Grave (WTA) dhe Shoqata e Tenisit të Burrave (ATP) e kanë pezulluar turneun e tyre të kombinuar, i parapara të mbahej në Moskë në tetor.

Lajme të ngjashme